Një punonjës spitali në Itali nuk shkonte në punë prej 15 vjetësh, por vazhdonte të merrte një pagë të plotë. Lajmin e pazakontë e kanë bërë të ditur mediat lokale.

Burri dyshohet se nuk ka shkuar më për të punuar në spitalin Ciaccio, në qytetin jugor të Catanzaro, që në vitin 2005. Thuhet se ai ishte paguar 538,000 euro në total gjatë viteve që nuk ka punuar.

Agjencia italiane e lajmeve Ansa ka raportuar se tani ai po hetohet për mashtrim, zhvatje dhe shpërdorim detyre. Gjithashtu, në lidhje me këtë çështje po hetohen 6 menaxherë në spital.

Arrestimet janë rezultat i një hetimi të gjatë policor për mungesat dhe mashtrimet e dyshuara në sektorin publik italian. Punonjësi ishte një nëpunës civil dhe u caktua në një punë në spital në vitin 2005. Policia tha se pikërisht në këtë moment, ai ndaloi së shkuari në punë.

Burri akuzohet se ka kërcënuar menaxherin e tij për të mos paraqitur një raport disiplinor kundër tij. Më vonë, kur menaxheri doli në pension, mungesa e vazhdueshme e këtij punonjësi nuk u vu re kurrë nga pasardhësi i saj ose nga burimet njerëzore.

Burimi: BBC