Mëngjesin e sotëm kryeministri Rama ka publikuar një video, ku shpjegohet qartë se si do të funksionojë transporti rrugor ndërqytetës, përmes një platforme digjitale. Aplikacioni e-transport do të mund të shkarkohet falas në celular, ku në mënyrë fare të thjeshtë udhëtarët do mund të kontrollojnë linjat, oraret dhe më pas të mund të rezervojnë biletën.

“Ja e ardhmja e afërt digjitale e transportit rrugor ndërqytetës përmes e-Transport. Për herë të parë në Shqipëri, kjo platformë inovative do të menaxhojë e monitorojë fluksin e udhëtarëve në linjat e transportit, për gati 50 milionë bileta udhëtimi në vit, duke sjellë një përmirësim rrënjësor të eksperiencës së udhëtimit. Modul biletimi elektronik online (përmes aplikacionit në celular dhe faqes online), në autobus e në stacione, si dhe në agjencitë e udhëtimit”, shkruan kryeministri përkrah videos.

Ai shton gjithashtu se aplikacioni do të jetë falas për 520 linja, 242 operatorë dhe 2,282 mjete.