Lamë pas një muaj me mot të paqëndrueshëm e aspak tipik për stinën ku jemi. Por në muajin maj do të mund të ndiejmë më në fund pranverën e vërtetë. Java e parë e majit parashikohet me temperatura tipike pranverore, edhe pse nuk do të mungojnë as reshjet lokale.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti deri në mesjavë parashikohet mot me diell dhe alternime vranësirash. Më tej qëndrueshmëria do të ndërpritet, pasi do të kemi reshje me kohëzgjatje të shkurtër prej pasdites së të mërkurës e deri mesditen e së enjtes. Reshjet do të jenë të intensitetit të ulët dhe do të ketë shtrëngata të shkurtra kryesisht në jug, ndërsa të enjten do të përqendrohen në veri. Prej mesditës së të enjtes e në vijim moti do të rikthehet me diell e vranësira.

Era deri në mesjavë do të fryjë nga veriperëndimi e më tej kthehet nga kuadrati i jugut mesatare dhe hera-herës e vrullshme në bregdet. Për pasojë temperaturat do të pësojnë luhatje si në tabelën më poshtë. Valëzimi do të jetë i forcës 2 deri 4 ballë.