Komiteti Teknik i Ekspertëve pritet të mblidhet të mërkurën për të marrë disa vendime të rëndësishme rreth masave aktuale për frenimin e përhapjen e Covid 19 në vend.

Burime për Tv Klan kanë mësuar se ekspertët po diskutojnë për lehtësimin e një sërë masash duke parë edhe shifrat në ulje të kohëve të fundit.

Një prej vendimeve që pritet të merret është një hapje e pjesshme e universiteteve, të cilat aktualisht po zhvillojnë mësimin vetëm online që prej fillimit të vitit akademik.

Nga kjo e martë nisi mësimi në klasa për të gjithë gjimnazistët.

Një tjetër vendim që pritet të merret është edhe rikthimi ose jo i karantinës dyjavore për shtetasit që hyjnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

Më 19 prill, Komiteti vendosi që të gjithë ata që vijnë në Shqipëri nga këto dy shtete t’i nënshtrohen karantinës dyjavore, por ky urdhër ka përfunduar efektin e tij më 3 maj.

Aktualisht, ata që hyjnë në vendin tonë nuk kanë asnjë detyrim për karantinim. Do të jetë Komiteti i Ekspertëve ai që do të saktësojë në mbledhjen e së mërkurës nëse do vijohet në këto kushte apo do të rikthehen karantina.

Ashtu si në Shqipëri, situata e Covid-19 në këto dy shtete është përmirësuar ndjeshëm, duke bërë që të ketë lehtësim të masave.