Për të mbrojtur më mirë privatësinë dhe sigurinë e përdoruesve të mitur në platformë, Instagram thuhet se tani po zhvillon një version për fëmijë të aplikacionit të tij. Do të jetë një version i zbutur i aplikacionit kryesor Instagram dhe do të lejojë përdoruesit nën moshën 13-vjeçare të krijojnë llogari në platformën që si qëllim kryesor ka ndarjen e fotove.

Nëse ende nuk e keni marrë vesh, Instagram, në një postim zyrtar në blog, tregoi së fundmi planet për ta bërë platformën më të sigurt për përdoruesit më të vegjël, veçanërisht adoleshentët dhe para-adoleshentët.

Si rregull, Instagrami pretendon se nuk i lejon përdoruesit nën 13 vjeç t’i bashkohen platformës, por kjo nuk i ndalon ata të bëjnë të kundërtën. Si rezultat, kompania kohët e fundit ashpërsoi politikat e saj për të parandaluar ndërveprimin e përdoruesve të rritur me përdoruesit e mitur.

Kompania nuk po e ndalon punën e saj në këtë drejtim. Kreu i Instagramit, Adam Mosseri konfirmoi se aplikacioni Instagram Kids është në proces. Ideja është e ngjashme me aplikacionin Messenger Kids të kompanisë.

Në një intervistë të shkurtër me Buzzfeed News, Mosseri tregoi se përdoruesit e mitur gënjejnë për moshën e tyre kur krijojnë një llogari në Instagram dhe është e vështirë të vërtetosh moshën e tyre të saktë.

“Ne duhet të bëjmë shumë. Por një pjesë e zgjidhjes është krijimi i një versioni të Instagramit për të miturit ose fëmijët, ku prindërit kanë transparencë ose kontroll. Është një nga gjërat që ne po eksplorojmë,” -tha Mosseri.

Do na duhet të presim dhe pak për këtë version, por rëndësi ka që puna ka nisur.