Ellen DeGeneres ka njoftuar fundin e emisionit të saj, pas 19 sezonesh.

"Unë kam ndjerë vërtet që sezoni i ardhshëm ishte koha e duhur për ta mbyllur. E vërteta është se unë gjithmonë u besoj instikteve të mia. Instinkti im më tha se është koha e duhur," -thotë ajo në episodin e ri të emisionit.

Ajo nuk i përmendi akuzat për një mjedis toksik pune që e vendosën emisionin në qendër të kritikave vitin e kaluar.

Tre prodhues që prej asaj kohe kanë humbur vendet e tyre të punës dhe DeGeneres kërkoi falje publike shtatorin e kaluar. 63-vjeçarja kishte bërë të ditur se do ta mbyllte emisionin pas sezonit të 19-të, në vitin 2022, para se të shpërthente skandali.

"Dy vjet më parë, unë nënshkrova një marrëveshje për 3 vjet të tjera dhe gjithmonë e dija në zemrën time se sezoni 19 do të ishte i fundit," –thotë ajo në episodin që do të transmetohet sot. “Unë dua që ju ta dini se kam menduar shumë për këtë vendim. U ula për një kohë. Meditova për të."

Dje, ajo tha për Hollywood Reporter se sado e mrekullueshme dhe argëtuese të jetë ajo shfaqje, nuk është më një sfidë. Ajo tha se pretendimet e vitit të kaluar, që vendi i punës në emision ishte "i dominuar nga frika" nuk ishin një faktor në vendimin e saj për t’i dhënë fund.

"Nëse do të lija shfaqjen për shkak të kësaj, nuk do të kthehesha këtë sezon," tha ajo, ndërsa pranoi se e u shkatërrua teksa shihte se gjithçka për të cilën kishte punuar po sulmohej.

Emisioni i Ellen ka fituar më shumë se 60 çmime Daytime Emmy. The Ellen Show është transmetuar që nga shtatori i vitit 2003 dhe janë realizuar më shumë se 3,000 episode.