Princi Harry u shfaq si i ftuar në episodin e ri të podcastit të Dax Shepard, Armchair Expert, ku foli për shëndetin e tij mendor dhe jetën si princ. Ai zbuloi se ishte bashkëshortja e tij, Meghan Markle që e inkurajoi atë për të shkuar në terapi. Ai gjithashtu ndau detaje nga takimet e tyre të para të fshehta (lexo këtu).
Kur Shepard e pyeti se çfarë e shtyu të shkonte në terapi, Princi Harry shpjegoi:
“Ishte një bisedë që pata me gruan time. Dhe ajo e kuptoi menjëherë. Ajo e kuptoi që isha i lënduar dhe se disa nga gjërat që nuk ishin në kontrollin tim po më zemëronin shumë dhe kjo bënte që gjaku të më vlonte. Unë kurrë nuk kam bërtitur. Unë kurrë nuk kam ulëritur. Për mua, mënyra më e mirë për të çliruar agresivitetin është përmes boksit. Por për mua, para se të takoja Meghan, zemërimi ishte shumë i lidhur me median. Pamundësia [që ndiej] është thembra ime më e madhe e Akilit. Tri herë u ndjeva plotësisht i pafuqishëm: 1 - kur isha fëmijë në pjesën e pasme të makinës me nënën time që ndiqej nga paparacët; 2 - në Afganistan me një helikopter sulmi Apache; dhe pastaj e treta ishte me gruan time. Këto ishin momentet në jetën time kur jam lënduar prej faktit se ndihesha i pafuqishëm. Jam lënduar me të vërtetë”, -tha ai.
Harry tha në të 20-at e tij, ai mendonte se nuk donte të ishte një princ:
“Në fillim të të 20-ave, mendoja, ‘Unë nuk e dua këtë punë. Nuk dua të jem këtu. Nuk dua ta bëj këtë. Shikoni çfarë i bëri mamasë time. Si do të shtrohem ndonjëherë dhe të kem një grua dhe një familje kur e di që do të ndodhë përsëri? Sepse e di - Unë e kam parë pas perdes. E di si funksionon. Unë nuk dua të jem pjesë e kësaj.’ Dhe pastaj sapo fillova të bëja terapi, papritmas u duk sikur flluska kishte plasur. Nxora kokën nga rëra dhe pësova një shkundje të mirë. Mendova: ‘Jam në këtë pozitë privilegji dhe s’duhet të ankohem. Mos mendo se do diçka ndryshe. Bëj diçka ndryshe. Si? Si do ta bësh mamanë tënde krenare? Si do ta përdorësh këtë platformë për të ndikuar vërtet në ndryshim dhe të mund t'u japësh njerëzve besim për të qenë në gjendje të ndryshojnë jetën e tyre?’ Ishte interesante sepse, atëherë nuk e kuptoja, por duke ndihmuar njerëzit e tjerë ndihmova veten.
Princi Harry tregoi gjithashtu se pasi u transferua në Santa Barbara bashkë me famijen, jeta e tij ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë dhe se, më në fund, ndihet pak më i lirë.