"Në kurthin e Piter Pan" mbërrin sonte në natën e nëntë. Javët ikin shpejt dhe e hëna rivjen me të tjerë personazhe e me shumë energji në anijen e Piter Panit. Kur kanë mbetur edhe pak javë deri në fundin e sezonit 4, fëmijët tashmë e kanë bërë anijen “shtëpinë” e tyre. Madje, kanë mësuar edhe t’i vënë në siklet të ftuarit, ashtu sikundër kanë bërë tashmë me të gjithë.

Edhe sonte, pa dyshim, nuk do të bëjnë përjashtim nga të hënat e tjera. Por do të jetë ndryshe. Sepse të ftuarit janë specialë.

Kush do të jetë sonte përballë gazetarëve të vegjël?

Në natën e nëntë të spektaklit, “Në kurthin e Piter Pan” do të sjellë para publikut dy personazheve të tjerë mjaft të njohur.

Pëllumb Pipero

Është doktori që duam më shumë se të gjithë gjatë këtij viti të gjatë të pandemisë. Sa herë jemi ndier të pasigurt për jetën, për gjendjen e nderë që krijoi pandemia, infeksionisti i njohur Pëllumb Pipero, me qetësinë që e karakterizon, na ka qetësuar të gjithëve me këshilla e porosi, pa u lodhur. Përtej punës së tij të përditshme pranë pacientëve të prekur me Covid-19, Pipero ka qenë gjithmonë i gatshëm për publikun, për pyetjet e tij të pafundme dhe përherë ka një përgjigje qetësuese për situatën.

Sonte, nga anija e Piter Panit, Pipero do të shfaqë një profil tjetër të vetes, që nuk ia njohim shumë në publik. Përballë fëmijëve, as ai nuk do ta ketë të lehtë të përgjigjet për kureshtjen pa filtra të gazetarëve të vegjël.

Capital T

Reperi i njohur ka qenë prej kohësh qendra e vëmendjes së mediave si për jetën artistike, ashtu edhe për atë private.

Pas një viti të vështirë, si për të gjithë artistët dhe këngëtarët, Capital T e pret një sezon i nxehtë, me prodhime të reja muzikore e, së shpejti edhe me koncerte.

Por emri i tij është i lakuar edhe në mediat rozë. Pas zhurmës së madhe për lidhjen me modelen Adrola Dushi, Capital T ka thënë se është i fokusuar në muzikë dhe duket se, për momentin, kjo është dashuria e tij e vetme.

Por megjithatë, ndiqeni sonte për të mësuar të rejat e fundit. Para fëmijëve të Piter Panit, vështirë të shpëtojë pa zbuluar ndonjë detaj më shumë edhe Capital T.