"Në kurthin e Piter Pan" po i afrohet fundit. Kanë mbetur edhe dy javë nga nata finale, por për fëmijët asgjë nuk ka ndryshuar. Energjia e tyre, përkundrazi, rritet pas çdo të hëne. Ndonëse jemi fare afër verës dhe pushimeve, për të gjithë fëmijët anija e Piter Panit është kthyer në shtëpinë e tyre të pushimit, argëtimit dhe lojës.
Edhe sonte, pa dyshim, nuk do të bëjnë përjashtim nga të hënat e tjera. Por do të jetë ndryshe. Sepse të ftuarit janë specialë.
Kush do të jetë sonte përballë gazetarëve të vegjël?
Në natën e dhjetë të spektaklit, “Në kurthin e Piter Pan” do të sjellë para publikut dy personazheve të tjerë mjaft të njohur.
Bieta Sulo
Një prej moderatoreve më të ëmbla të publikut që jo vetëm i bën të gjithë për vete me buzëqeshjen e saj, por mbledh pranë ekranit të madh e të vogël çdo pasdite.
Bieta Sulo, moderatorja e “Ftesë në 5”, sonte është e ftuar para fëmijëve të Piter Panit për të zbuluar një anë tjetër të vetes, ndryshe nga profili i përditshëm i programit të saj. Për mëmësinë, për Kroin e vogël, por edhe për projektet televizive që ka në plan të realizojë, Bieta do të rrëfehet sonte në Piter Pan. Për Albanin? Po edhe për atë, pa dyshim. Ka edhe disa lajme të reja, që moderatorja do t’i zbulojë vetëm sonte.
Dren Abazi
Të gjithë ata që e njohin profilin e Dren Abazit, e dinë mirë që ai nuk pëlqen shumë të jetë pjesë e intervistave, por si mund t’u thoshte “jo” fëmijëve të Piter Panit?
Dreni ritkhehet në ekranin e Tv Klan për të rrëfyer më shumë për karrierën e tij muzikore, projektet e reja që ka në plan të realizojë së shpejti, por edhe për ndonjë sekret nga jeta private, të cilën e ka me siklet të madh ta zbulojë. Në një intervistë krejt ndryshe nga të gjitha çka realizuar deri tani, Dreni do të vijë si “fëmijë” që i thotë të gjitha para fëmijëve të Piter Panit.