Nga korriku do të hidhet në qarkullim kartëmonedha e re prej 10 mijë lekëshe, që është dhe prerja më e madhe që është emetuar ndonjëherë. Deri tani, kartëmonedha me vlerën më të madhe ishte ajo prej 5 mijë lekësh.

Krahas kartëmonedhës së re 10 mijë lekësh do të hidhet në qarkullim dhe prerja e re prej 1,000 lekë.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, në një intervistë të para disa ditëve për Monitor.al dha shpjegime lidhur me arsyet e hedhjes në qarkullim të një prerjeje me vlerë më të madhe, që sipas tij plotëson kërkesat e tregut për ta pasur në strukturën e serisë sonë të kartëmonedhave me kurs ligjor.

“Kjo kartëmonedhë e prerjes më të lartë shoqëron zhvillimin ekonomik të vendit dhe sipas të gjitha analizave, plotëson kërkesat e tregut për ta pasur në strukturën e serisë sonë të kartëmonedhave me kurs ligjor. Prezantimi dhe hedhja e saj në qarkullim do të mundësojë për një qarkullim më të mirë dhe më efikas të parasë së gatshme, duke ndihmuar strukturën e monedhës në qarkullim dhe njëkohësisht duke ulur kostot e prodhimit, magazinimit dhe shpërndarjes, dhe në këtë mënyrë duke rritur efikasitetin e Bankës së Shqipërisë në administrimin e parasë fizike dhe emisionit.

Gjithashtu, prania e kësaj prerjeje të re më të lartë në strukturën e kartëmonedhave shqiptare rrit efikasitetin e Bankës së Shqipërisë edhe për të administruar një stok strategjik sa më të përshtatshëm për të përballuar raste të rritjeve të paparashikuara të kërkesës së tregut për para fizike”.- tha Sejko.

Pavarësisht zhvillimit të mjeteve të tjera të pagesës, si ato elektronike, paraja në qarkullim vijon të ketë ndër vite një trend rritës, i cili pasqyron kërkesën e vazhdueshme të ekonomisë për para fizike si mjet pagese.

Si do të jetë kartëmonedha 10 mijë lekëshe?

Kartëmonedha 10,000 lekë mbart si tematikë simbolet e Flamurit Kombëtar dhe Himnit, të shoqëruar me portretin e poetit tonë të Rilindjes Kombëtare, Asdreni, për shkak të pranimit mbarëpopullor të Asdrenit si autor i tekstit të “Himnit Kombëtar” të shqiptarëve, një krijim i cili së bashku me Flamurin Kombëtar janë që prej Pavarësisë, simbole identiteti të shqiptareve. Si të gjitha prerjet e serisë së re, edhe kjo kartëmonedhë përmban elemente sigurie të avancuara, të prodhuara me teknologjitë më të fundit të fushës, të cilat lehtësojnë identifikimin nga publiku, rrisin besueshmërinë tek paraja kombëtare dhe e bëjnë më të vështirë falsifikimin.