Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, në një intervistë për “ABC News” ka komentuar situatën aktuale të koronavirusit në vendin tonë. Brataj shprehet se treguesit aktualë janë shumë optimistë, por për të shmangur valën me infektime të variantit “delta” që parashikohet nga ekspertët ndërkombëtarë do të duhet që të arrihen 2 milionë vaksinime përpara vjeshtës si dhe respektimi i masave anti-COVID të caktuar nga Komiteti i Ekspertëve.

Në çdo rast, Brataj vlerëson se edhe një valë tjetër do të ishte shumë më pak e ndjeshme se ajo e vitit të kaluar dhe se ka dritë në fund të tunelit për largimin nga sëmundja, por nuk duhen neglizhuar këto javë kritike.

Sot po thoshte një virolog i Universitetit të Milanos, që varianti “Delta” do të shkaktojë infektime në vjeshtën e ardhshme. Sigurisht që do të presim infektime nga “Delta”. Ata njerëz që nuk janë vaksinuar apo kaluar sëmundjen në një mënyrë apo tjetër do të atakohen.

Sigurisht që na bën më optimistë vaksinimi në Shqipëri. Po të kapet 2 milionë vaksinime brenda vjeshtës, situata do të jetë më e menaxhueshme, por nuk e dimë se çfarë do vijë.

Nuk mund të flasim kaq lirshëm. Virologët parashikojnë një valë tjetër në vjeshtë, do të jetë edhe “vala e bishtit” të kësaj pandemie, jo e atyre përmasave që kaluan, por janë jetë njerëzish që duhen mbrojtur. Nuk ka marrë fund.

Kemi hequr tamponin, se një person që niset me pushime nuk niset i sëmurë. Ka rregulla nga vendet që do të kthehen. Ky virus është shfaqur në Itali. Ne çdo 15 ditë po lirojmë masat. Dy vjet para pandemisë ndërpritej muzika pas orës 24.00. Është e papranueshme, nuk mund t’i heqim të gjitha masat kur virusi është ende prezent. Te njerëzit pa shenja dhe simptoma, përqindja e negativ është e lartë, në tamponët që u bënë përqindja ishte e lartë. Dilnin negativë dhe pas disa ditësh sëmureshin”- ka thënë mes të tjerash Brataj.