Nga arrest me burg në arrest shtëpie. Masa për sanitaren Tire Alldervishi është ndryshuar nga Gjykata e Tiranës. Mësohet se prokuroria kërkoi zgjatjen me tre muaj të afatit të hetimit, por Gjykata e refuzoi me argumentin se prokuroria ka pasur të gjithë kohën e nevojshme dhe se hetimet i kanë kaluar afatet.

Tire Alldervishi, punonte si sanitare në spitalin Covid, por ajo u arrestua pasi u përfshi në një skemë ryshfeti dhe mashtrimi. Ajo u hoq si infermiere e spitalit Shefqet Ndroqi duke i marrë para një qytetareje, e cila kishte nënën të shtruar me Covid në spital. Liljana Kalemi denoncoi sanitaren se i kishte marrë 8 milionë lekë të vjetra dhe se i kishte premtuar që do kujdesej për nënën e saj, me paratë që do i shpërndante me mjekë të tjerë.

Gjykata e Apelit, më datë 11 mars, liroi dy infermieret të akuzuara si bashkëpunëtore të Tire Alldervishit në skema të tjera ryshfeti ndaj familjarëve të pacientëve. Ato janë Sheqerije Koçi dhe Mira Bushi. Ato u lanë në masën ‘detyrim paraqitje’. Ndërsa më herët u liruan nga qelia edhe infermierja Sidorela Kola dhe sanitarja Rukie Hoxha.

Burimi: Tirana Post