Tragjedia e familjes Gjoka në Lezhë është thelluar edhe më tej, pasi sot ka ndërruar jetë në Itali edhe vajza e dytë, 15-vjeçarja Klarisa Gjoka. Ajo ishte dërguar për kurim në shtetin fqinj, pas plagosjes nga shpërthimi i bombolës së gazit në hotelin e familjes në Velipojë.

Pavarësisht trajtimit mjekësor, Klarisa Gjoka, 15 vjeç, nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra. Disa ditë më parë gjeti vdekjen dhe motra e saj, Daniela Gjoka, 19-vjeç.

Gjatë ditës së sotme është zhvilluar ceremonia mortore për 19-vjeçaren. Në gjendje të rëndë mësohet të jetë edhe nëna e fëmijëve.

Hoteli 3-katësh në pronësi të familjes u përfshi nga flakët pas shpërthimit të zjarrit, si shkak e rrjedhjes së gazit të një bombole gazi.

Ngjarja

Shpërthimi ndodhi më 4 korrik, në një hotel trekatësh, duke lënë të plagosur rëndë pjesëtarë të familjes Gjoka, banues në Lezhë, për fat të keq dy vjazat ndërruan jetë.

Shpërthimi i bombolës së gazit ka shkaktuar një shpërthim të fortë në hotel, duke krijuar panik te turistët e shumtë që frekuentojnë bregdetin këtë sezon veror. Turistët në zonë, që kanë dëgjuar shpërthimin, kanë menduar se mund të kishte ardhur si pasojë e lëndëve plasëse për shkak të zhurmës së madhe.

Edhe pasojat ishin të mëdha. Pjesë të tëra të hotelit thuajse u shkatërruan plotësisht si pasojë e zjarrit që shpërtheu.

Kati i parë i ndërtesës u shkatërrua thuajse plotësisht. Megjithëse shkaku që çoi në ngjarjen e rëndë nuk dihet ende, mësohet se në hotel ka pasur bombola të shumta me gaz dhe një cisternë me lëndën djegëse.