Debati televiziv mes dy politikanëve në Moldavi ka përfunduar në një skenë boksi dy ditë më parë. Anëtari i Partisë së Ndryshimit, Sergiu Tofilat, pas një debati me zv/ministrin e Brendshëm, Ghenadie Cosovan, përfundoi duke e goditur atë me grushte.

Situata u acarua kur Cosovan i hodhi gotën me ujë në fytyrë Tofilat, i cili iu kthye me grushte e më pas e hodhi në tokë.

E gjithë skena u transmetua live në televizion, ndërkohë që mediat moldave shkruajnë se pas emisionit ata i dhanë dorën njëri-tjetrit.

Një ditë më pas, Tofilat ka kërkuar falje publike. Përmes një postimi në rrjete sociale, ai tha se dhuna është e papranueshme dhe mosmarrëveshjet nuk zgjidhen në këtë mënyrë.

Më vjen keq për incidentin në televizionin Jurnal. Ishte një situatë në të cilën nuk dija t’i kontrolloja emocionet e mia dhe pendohem për atë që ndodhi. Dhuna është e papranueshme, mosmarrëveshjet nuk zgjidhen me mjete të tilla. Më vjen keq për këtë incident”, – shkruan Tofilat.