Një pjesë e mirë e njerëzve bëhet konfuzë kur është fjala për të zgjedhur kremin e diellit. Zakonisht, marrin atë që merr shoqja, motra, vëllai etj., duke harruar që kremi mbrojtës duhet të përshtatet gjithmonë me tipin e lëkurës. Në bazë të ngjyrës së tipareve, e ke të lehtë të gjesh faktorin mbrojtës. Dermatologu është ai që të përcakton saktë tipin e lëkurës dhe kremin mbrojtës që të duhet për diellin, megjithatë, disa nga përcaktimet e mëposhtme mund të të ndihmojnë ta përcaktosh vetë duke u nisur nga tiparet.  

Si ta zbulosh çfarë fototipi je?

Fototipi 1

Për këtë lloj fototipi është pothuaj e pamundur ngjyra e bronztë. Sipas dermatologëve, të gjithë ata që i përkasin fototipit 1 janë janë personat që kanë fytyrë me quka, flokë të kuqe dhe sy me ngjyrë. Kështu, gjatë kohës së plazhit, për këtë lloj fototipi këshillohet kremi me faktor mbrojtës nga 50 e lart, por kujdesi nuk duhet të mbetet me kaq. Në ndryshim nga çdo lloj lëkure tjetër, fototipi 1 është më shumë i rrezikuar nga rrezet, kështu që në çdo orë të ditës, njerëzit që kanë këtë lloj lëkure duhet të mbajnë gjithmonë kapele, shaje me ngjyra të hapura dhe sa më pak të eksozuar në diell, duke qëndruar gjatë pjesës më të madhe të ditës në hije.

Fototipi 2

Nëse ke lëkurë të bardhë, gati transparente, sy me ngjyrë bojëqielli dhe flokë biond, je në grupin e fototipit 2, i cili, në fakt, nuk i ka shumë të mira marrëdhëniet me diellin. Kremi që duhet të përdorësh duhet të ketë ta ketë faktorin mbrojtës të paktën 30 (këshillohet 30-50, por jo më pak se 30). Gjithashtu, nëse je pjesë e këtij grupi duhet të kesh kujdes gjatë daljes në diell, pasi oret e pikut (11-18)  janë shumë të rrezikshme për lëkurën tënde, sepse janë shumë të mundshme djegiet. Ngjyra e çokollatës? Kjo është gati e pamundur të arrihet.

Fototipi 3

Ndryshe quhen brune mesdhetare dhe, në dallim nga dy fototipet e para, kanë një lëkurë më të errët, që njihet ndryshe si lëkurë gruri. Sipas dermatologëve, këto lloj lëkurash janë të dashuruara me rrezet dhe ngjyrën e çokollatës e arrijnë me mjaft lehtësi. Ndërsa për faktorin mbrojtës, ai mjafton të jetë 20. Këto lëkura nuk digjen kurrë, megjithatë duhet të mbrohen nga efektet e rrezeve UVA. Dëmet e rrezeve ultravjollcë (UVB), janë të dallueshme lehtësisht (rastet e rrjepjeve dhe skuqjeve të lëkurës) edhe për këtoj lloj lëkurash, sepse ato depërtojnë në thellësi dhe bëjnë që lëkura të plaket, por mbi të gjitha dëmtojnë qelizat që me kalimin e kohës mund të zhvillohen e të shkaktojnë deri edhe tumore të lëkurës.