Kanye West organizoi një festë dëgjimi për albumin e tij të ri, "Donda". Në fillim të kësaj jave, reperi dhuroi 5,000 bileta për disa kolegje dhe deri këtu gjithçka ishte ok… Deri në momentin që menuja e eventit u bë virale në rrjetet sociale.

Një foto e menusë “pushtoi” internetin për shkak të çmimeve të fryra, si hotdogs për 40 dollarë apo biskota dhe kafe për 45 dollarë. Çmime të tjera që shiheshin në menu ishin kokoshka të ëmbla dhe të kripura për 35 dollarë, gjokse pule për 50 dollarë dhe një shportë me ‘snack’ të ndryshëm për 65 dollarë.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe dhe njerëzit online u ndanë në dy pjesë. Disa përdorues e mbrojtën reperin, duke thënë se çmimet ishin për suitat në stadium. Po ashtu, nuk munguan kritikët dhe ata që bënë shaka me menunë luksoze.

"Kanye me siguri di se si të të bëjë të ndihesh i varfër", -tha dikush.

Ndërsa një përdorues tjetër vuri në dukje faktin që Kanye kishte dhënë bileta falas, sepse sipas tij e dinte që do t’i merrte paratë mbrapsht në njëfarë mënyre:

"Lol, tani ka kuptim pse u dhuroi atyre bileta… ai e dinte se do t'i kthente ato para!"

Nuk është hera e parë që diskutohen çmimet e tepruara të ushqimeve në eventet e West.

Në vitin 2019 ai u kritikua për çmimet e ushqimeve në një event në Baton Rouge, Luiziana. Hyrja në festë ishte falas, por ushqimi modest kushtonte 55 dollarë dhe të shumtë ishin ata kërkuan që paratë e tyre të ktheheshin.