Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka prezantuar sot autobusët e rinj të linjës së gjelbër, “Go Green”, të cilët do të fuksionojnë me bateri deri në 25 km/h dhe më pas do të hyjë në përdorim gazi.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, u prezantuan ambientet e autobusëve të rinj dhe iu dha përgjigje çdo pyetjeje që qytetarët mund të kenë.

Deri më tani janë 19 mjete që do të vihen në përdorim brenda muajit gusht, por pritet që deri në fund të vitit të jenë 25. Një pjesë do të jenë autobusë fizarmonikë, ndërsa të tjerët janë autobusë normalë.

Akset që do të përshkohen do të jenë nga Astiri, Rruga Dritan Hoxha, Rruga e Dibrës, spitali Nënë Tereza, spitali i fëmijëve, nga Sheshi Shqiponja, te pallati me shigjeta, në unazë. Pra në të dy anët, por një hark më i madh se unaza.

Sa u përket aboneve, edhe linja e gjelbër do të funksionojë si çdo linjë: me abone linje, studenti, të përgjithshme dhe kartat e invaliditetit. Pra me të njëjtën kosto.