Situata e zjarreve në vendin tonë, si edhe në të gjithë rajonin, po bëhet serioze dhe vështirësia për të menaxhuar situatën, edhe më e vështirë. Shpresa e vetme mbeten shirat, të cilat pritet të jenë të izoluar në disa zona të vendit.

Sinoptikani Hakil Osmani, në një lidhje live për Top Channel, tha se ndryshimi i shpeshtë i drejtimit të erës shkakton probleme për shuarjen e zjarreve.

Vijon të mbetet problematik parametri i erës, pasi në det të hapur shkon me shpejtësi edhe mbi 50 km/h, por po ashtu edhe në tokë shpejtësia e erës është problematike edhe jo vetëm shpejtësia e saj, por edhe ndryshueshmëria e shpeshtë e drejtimit sjell problematika sa i përket shuarjes së zjarreve”,- tha Osmani.

Po ashtu, sinoptikani tregoi se gjatë ditës së enjte dhe të premte pritet të ketë reshje të pakta shiu në zonat e veriut, por edhe në Vlorë e Gjirokastër, ku zjarret po shkaktojnë më shumë dëme.

“Pritet të kemi reshje shiu të pakta, kryesisht të karakterit lokal në zonat veriore gjatë ditës së enjte, por e premtja sjell prezencë më të dukshme të reshjeve të pakta. Nuk përjashtohet mundësia e reshjeve të izoluara edhe në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër, por që do të jenë reshje me sasi shumë të pakët”,- tha Osmani.

Sa u përket temperaturave që na presin në muajin gusht, Osmani tha se pritet të mos i kalojnë 40 gradë celsius deri më 20 gusht.

Kemi një rritje me 1-2 gradë celsius të vlerave termike gjatë ditës së nesërme duke rikthyer temperaturat deri në 41 gradë celsius. Për fat të mirë, e premtja sjell një rënie të vlerave termike në disa gradë duke bërë që maksimumet të zbresin në 35-36 gradë celsius. Kemi një rritje të lehtë të vlerave termike gjatë fundjavës. Por në mëngjes, në zonat malore pritet të zbresin në 15 gradë celsius nga 20-21 që janë tani. Ndërsa temperaturat pritet të mos i kalojnë 40 gradë celsius deri më 20 gusht”.