
Të ndërtosh diçka totalisht nga e para, në një kohë kur mundësitë janë të shumta, nuk është aspak e thjeshtë. Megjithatë, Edisa Lecini, si një vajzë e rritur me frymën e biznesit dhe së bukurës, ia doli me sukses. Për të nuk ishte aspak e lehtë të fitonte besimin e shumë vajzave shqiptare, të cilat sot nuk bëjnë dot pa produktet që ajo i solli në Shqipëri, për të bërë diferencën në fushën e estetikës.
Nëse jeni të apasionuara pas produkteve bio dhe cilësore, me siguri keni blerë ose të paktën keni kaluar vetëm një herë tek Ediss Bio Care, qoftë fizikisht apo virtualisht. Shumë mund ta njohin faqen, dyqanin, produktet, por jo shumë e dinë se ajo që fshihet pas gjithë kësaj pune është estetistja Edisa Lecini, e cila prej vitesh punon në mënyrë të palodhur për të sjellë pranë vajzave produktet për të cilat të gjitha kanë nevojë e që shumë i kanë kthyer në pjesë të pandarë të rutinës së përditshme.

Të flasësh me Edisën është gjëja më e thjeshtë në botë, sepse të bën të ndihesh e mirëpritur duke të parë e folur me vetëbesim rreth produkteve të Ediss Bio Care, që ajo i njeh me sy mbyllur, si dhe duke u treguar e papërtuar për të treguar shumë “sekrete” që i ka mësuar gjatë eksperiencës së saj 12-vjeçare në fushën e estetikës. Ajo numëron plot 17 diploma në estetikë, por rrëfen se është gjithmonë e etur për të mësuar më shumë, për të ndjekur trajnime e seminare dhe duket se nuk ka ndërmend të ndalet kurrë! Sepse siç thotë ajo, kjo fushë nuk ka tavan, prandaj i duhet të jetë gjithmonë në ecje, të përvetësojë çdo njohuri e risi.
Edis Bio Care u themelua në vitin 2018 dhe sot ka 2 dyqane dhe 2 faqe Instagrami që gjatë këtyre 3 viteve kanë fituar një klientelë besnike. Cilësia e produkteve greke të përzgjedhura nga vetë Edisa, në bazë të cilësisë dhe efikasitetit që i ka testuar përgjatë shumë viteve, është e padiskutueshme. Bashkë me motrën e saj mjeke, ato ndodhen pranë klienteve të tyre për t’i dhënë zgjidhje çdo problematike estetike apo mjekësore.

Por jo vetëm kaq, Edisa zbulon një surprizë të madhe që do ta çojë Ediss Bio Care në një tjetër nivel. Bëhet fjalë për brandin e saj të ri, që do të vijë në tregun shqiptar shumë shpejt dhe çdo produkt do të mbajë emrin e saj.
Në këtë intervistë për revistën Class, Edisa Lecini rrëfen gjithçka që fshihet pas Ediss Bio Care që njohim të gjithë, si është të jesh pjesë e një fushe që ka lidhje me të bukurën, si ia arriti të jetë këtu ku është sot, çfarë këshillash ka për vajzat në biznes dhe disa detaje nga brandi i saj.

Si lindi ideja e hapjes së një biznesi të tillë?
Ideja e hapjes së biznesit në Shqipëri nisi nga një përjetim personal. Kur u sëmur ime më, sillja nga Greqia produkte si aloe vera, kolagjen, produkte detox. Sillja produkte bio në mënyrë që t’i përforcoja sistemin imunitar. Rastësisht dëgjova edhe mjekun që i thotë mamit që ti je shumë me fat që ke produkte të tilla, cilësore dhe të pastra. Në atë moment mendova pse të mos sjell diçka për të gjithë njerëzit që nuk kanë mundësi t’i marrin nga jashtë. E hodha si ide dhe familja më mbështeti jashtë mase. Sidomos im atë, që merret me biznes prej vitesh dhe prandaj pjesën e biznesit e kam në gjak. Por e solla ndryshe, duke e përshtatur dhe modernizuar idenë, duke bërë kërkime edhe për nevojat e konsumatorit të sotëm.
Biznesi ka tanimë 3 vite që është hapur dhe po ecën gjithmonë e më mirë. Cili mendon se është çelësi i suksesit?
Ne synojmë të trajtojmë problemin e klientit, jo thjesht të shesim. Një klient që është i kënaqur dhe që kthehet është çelësi im i suksesit.
Shumë biznese apo faqe online japin informacione ato që lexojnë nga internet. Nëse do të ishte e mundur që interneti të të jepte shkollë e njohuri, atëherë unë nuk do të kisha paguar aq shumë para për të studiuar. Fusha e kozmetikës është diçka që evoluon gjithmonë, kështu që edhe ti duhet ta ndjekësh pas. Të jesh gjithmonë në ecje, të jesh gjithë kohës e informuar, të ndjekësh seminare, të ndjekësh mjekë, të ndjekësh estetistë, duke mësuar gjithmonë.
Sa më e informuar të jesh, aq më shumë i shërben klientit dhe aq më i kënaqur mbetet ai. Dhe kush mund të të bëjë një reklamë më të mirë sesa vetë klienti?! Një klient i kënaqur të sjell 5 të tjerë, por një klient i pakënaqur të largon 1000.
Mendoj që të gjitha këto së bashku sjellin suksesin.

Cili ishte qëllimi yt fillimisht?
Qëllimi ishte të sillja një cilësi shumë të mirë produktesh. Dhe nga ai moment vura idenë time në punë. Dita-ditës përpiqem të mos zhgënjej klientët e mi dhe të sjell cilësinë alfa, në mënyrë që klienti të jetë i lidhur me Ediss Bio Care. Domethënë si një “kontratë jete” – të jetë i kënaqur, të rikthehet. Edhe sa i përket stafit, unë nuk bëj kompromis, sepse e trajnoj dhe e përgatis në mënyrë që edhe një klient që nuk ka mundësi, në momentin që hyn në dyqan ka të drejtë të informohet saktë dhe të ndiejë kënaqësinë që dikush po përkujdeset për të. Nga stafi kërkoj pikërisht këtë gjë – ta bëjë çdo klient të ndihet i sigurt dhe të mbetet i kënaqur.
Ku je bazuar për përzgjedhjen e produkteve?
Produktet janë zgjedhur në bazë të efikasitetit që japin, që unë i kam testuar dhe provuar gjatë eksperiencës sime shumëvjeçare në fushën e estetikës në Greqi.
E mendove që në fillim që do të ecte kaq mirë biznesi?
Gjithmonë jam e sigurt se çfarë do bëj. Vura si qëllim të investoj në dije, cilësi dhe shërbim, por dashuria dhe besimi i njerëzve kaloi çdo pritshmëri timen! Shumë herë emocionohem kur mendoj se ku isha para disa viteve dhe ku më çoi dashuria e vajzave të mia!

Si ia del ta menaxhosh kohën mes biznesit, familjes dhe impenjimeve të tjera?
Ka raste që nuk ia dal se jam njeri dhe kam dhe unë kufijtë e mi! Por nëse ke një program të mirë, çdo gjë është e mundur, të kesh kohë për karrierë, familje dhe miq të mirë! Ndërkohë, nëse ime bijë ka nevojë për mua, në çdo moment të ditës apo punës sime lë përgjysmë çdo gjë për t’u gjendur pranë saj! Së pari më intereson të jem një nënë e mirë, pastaj një biznesmene e mirë! Vajza ime rritet dhe unë s’dua të humbas asnjë moment të saj pa shijuar!
Po me motrën çfarë marrëdhënieje ke? Si lindi ideja e bashkëpunimit tuaj?
Me motrën... binjake me 7 vite diferencë...
Unë kam punuar për 12 vjet si estetiste, ndërsa ajo mbaroi mjekësi dhe në një bisedë së bashku lindi ideja për një bashkëpunim. Ajo mjeke, unë estetiste prej vitesh, ishte një kombimin njohurish shumë i goditur, në mënyrë që t’i ndihmojmë më tepër klientët dhe të ofrojmë diçka profesionale, diçka që në faqet online apo nëpër dyqane nuk ekziston.
Fillimisht hapëm dyqanin në Durrës. Eci shumë mirë, por klientet kërkonin dyqan edhe në Tiranë. Një natë e hodhëm si propozim, të nesërmen kërkuam dyqanin. Pra, u tha, u bë! Kjo ide ishte fantastike për t’i ofruar klientit një shërbim të kompletuar, si estetik ashtu dhe mjekësor! Dhe stafi trajnohet nga profesionistë në mënyrë që klienti të jetë i mirëtrajtuar.

Cilat janë problematikat kryesore për të cilat vajzat shqiptare kërkojnë zgjidhje në Ediss Bio Care?
Problematikat kryesore janë 2 të përditshmet:
- Rënia dhe flokët e dëmtuar, për të cilat unë gjithmonë jap kombinime produktesh pas një konsulte të mirëfilltë!
- Aknet qe unë i trajtoj sipas stinës, që do të thotë me kombinime trajtimesh më të lehta në verë, me qëllim që të mos provokojmë njolla për shkak të diellit të fortë! Ndërsa në dimër këshilloj një trajtim më të fortë. Trajtimi gjithmonë shoqërohet me 50 SPF për çdo stinë.
Të ndodh shpesh të kesh të bësh me kliente të vështira, mosbesuese? Si ia del në këto raste?
Natyrisht, sidomos online, ku shumë faqe kanë zhgënjyer konsumatorin. Por eksperienca ime e gjatë si në biznese, si në estetikë, ma lehtëson punën!
Për pjesën e njohjes së bizneseve, i jam mirënjohëse tim eti që më bëri shumë të aftë pasi linda mes bizneseve. Ndërsa pasioni im për estetikën më bëri që të mos ndaloj kurrë së studiuari rreth së bukurës e çdo gjëje të re që del! Estetika s’ka tavan dhe bukuria s’ka limit.
Në raste të vështira u lë kohë të studiojnë në faqe punën tonë! Duke u treguar e palodhur dhe duke mos u përpjekur t’i bind vetëm për të blerë dhe aq, por për të gjetur zgjidhjen që kërkojnë dhe të bëhen kliente të përhershme.
Ti vetë ke një fytyrë shumë të pastër dhe flokë të shëndetshëm. Mund të na tregosh shkurtimisht rutinën tënde të bukurisë që të të “vjedhim” ndonjë sekret?
Faleminderit! Unë nuk fle kurrë me grim. I jap rëndësi pastrimit të lëkurës në mëngjes dhe darkë, pa e neglizhuar kurrë! Gjithashtu hidratimi është hapi më i rëndësishëm për një lëkurë të bukur!
Cili është produkti nga Ediss Bio Care që e merr gjithmonë me vete edhe kur udhëton dhe nuk do hiqje dorë kurrë?
Do të thuash produktet e Ediss Bio Care që marr me vete gjithmonë… Janë larësi me 37 vitamina, kremi i diellit me 50 SPF, kremi që adhuroj Perlë & Diamant.

Së shpejti do të sjellësh në treg brandin tënd dhe kjo është një arritje e madhe. Çfarë mendon se të solli në këtë pikë të karrierës tënde? Ishte fati, puna e palodhur, apo diçka tjetër?
Emocionohem me këtë pyetje! Është e vërtetë që së shpejti firmat greke do të prodhojnë për Ediss Bio Care! Ky udhëtim në botën e bukurisë uroj të mos mbarojë kurrë. Filloi nga një ide e çmendur e vetme dhe dashuria e njerëzve më arriti në infinit! Për shumë arsye vjen brandi me emrin tonë!
Së pari, sepse shumë faqe online mashtronin duke abuzuar nga suksesi ynë, duke përdorur fotot, produktet, shpjegimet tona! Ndodh në Shqipëri kjo! Me këtë mënyrë s’do ta kenë më mundësinë e artë që të mashtrojnë!
Së dyti, shfrytëzoj dijet e mia të sjell formula efikase të fuqishme për çdo problematikë, me përbërës të tillë që një kliente të mos ketë nevojë t’i marrë të treja proteinat që mund t’i duhen veç, por të marrë një produkt të vetëm që i përmban të treja proteinat. Të ketë një përbërje super të fuqishme.
Së treti, dua që e gjithë dashuria ime e pasioni për estetikën, si dhe klientet e mia, të mbajnë emrin tim!
Kjo arritje është vetëm falë vajzave të mia! Jetoj ëndrrën time veçanërisht nga besimi i klienteve të mia në kremrat e mia, por kryesisht ndaj meje! Ky besim, që ishte dhe është kaq i sinqertë nga ana e tyre, mua më bëri të tejkaloj çdo pasiguri në vetvete. Falë tyre dhe vetëm prej tyre – klienteve të mia të bukura. Janë forcë më vete, janë familje!
Fati ndikon, normale, por nëse nuk punon me dashuri e sinqeritet nuk të vjen vetëm duke pritur!
Çfarë këshille do t’u jepje vajzave që duan të hapin një biznes dhe t’ia nisin nga zero?
Këshilla ime do ishte shumë konkrete, të punojnë me ëndrrat e tyre duke vënë qëllime që duhet t’i arrijnë! Mos u prezantoni asnjëherë në treg me ide të kopjuar nga ndonjë biznes tjetër i suksesshëm, sepse sistemi të hedh jashtë nga tregu. Sillni diçka të re, cilësore, punoni rreth idesë tuaj, mos u bëni film i parë disa herë! Me këto parime do ketë sukses çdo biznes i ri.

ediss_bio_care dhe ediss_bio_care_tirana janë të vetmet faqe në Instagram, ku gjeni produktet 100% origjinale dhe ku mund të merrni asistencë nga mjekja dhe estetistja.
Adresat e dyqaneve;
Në Durrës te Vollga
Në Tiranë te Rruga Bardhyl
Credits:
Fotografia: Orsola Mema
Dizjani: Xhesika Berisha
Grimi dhe flokët: Class Hair & Make Up
