Marka luksoze Balenciaga ka nxjerrë në shitje një çantë pazari dhe njerëzit në mediat sociale e kthyen në një temë diskutimi dhe gallate. “Barbes Large East-West Shopper Bag” quhet çanta e cila është krahasuar me qese plastike të përdorura në tregjet në të gjithë botën për të transportuar fruta dhe perime.

Marka me bazë në Paris, e themeluar fillimisht në Spanjë, e publikoi çantën në faqen e saj të internetit për një çmim të majmë prej 1,490 paundësh.

Balenciaga e përshkruan këtë produkt si një çantë pazari me print kuadratash, të bërë në Itali me lëkurë viçi 100%, të stampuar me logon e shtëpisë së modës në pjesën e përparme. Ajo përmban rripa të lëvizshëm, xhepa të brendshëm dhe dy doreza të sipërme.

Fotografitë e çantës kanë qarkulluar në Twitter ndërsa përdoruesit bëjnë shaka, duke vënë në dukje se është shumë e ngjashme me alternativat më të lira.

Disa nga komentet që qarkulluan ishin:

“Përpjekje e mirë! Do ta njoftoj dadon time se ishte 30 vjet përpara modës.”

"Kjo duket tamam si çanta që gjyshja ime përdorte për të marrë ushqimin tonë kur shkonte në plazh," tha një tjetër.

“Duket si çantat me kuadrata që ka në dyqanet me 1 dollar.”

Kjo nuk është hera e parë që Balenciaga tallet nga përdoruesit e rrjeteve sociale për krijimet e saj dhe çmimet e kripura që vendos.