Kishte kohë që ishte shkëputur nga tregu muzikor shqiptar, por jo nga muzika. Qëllimi ishte të vinte bujshëm, me një stil krejtësisht të ri, me një maturi profesionale, por edhe emocionale, pas një shkëputjeje të gjatë nga publiku i saj i parë dhe i pazëvendësueshëm.
Ndonëse e sprovuar me emocione të mëdha, sërish vështirë ta fshehë dridhjen e zërit ndërsa nis të rrëfejë për “pushimin” që ka bërë nga muzika dhe largësinë e përkohshme nga publiku shqiptar…
Më në fund, ja ku është. Me zërin e jashtëzakoshëm, emocionin që drithëron gjithmonë siç di vetëm ajo dhe me një grup bashkëpunëtorësh, tek të cilët jo vetëm besoi “ZanIN” e saj, por besoi edhe të gjitha krijimet e reja që i përmblodhi në një album me të njëjtin emër.
Në një festë të veçantë me shumë miq të ngushtë, dashamirës të muzikës e artit në tërësi, Elhaida Dani u dhuroi edhe një herë tjetër të gjithë të ftuarëve dhe publikut që mundi të mësojë më shumë nga këngët e saj emocione të reja, të rralla e të papërshkrueshme.
Në një stad të ri të karrierës, me bashkudhëtarë të jashtëzakonshëm e kumbar si Riccardo Cocciante, Elhaida Dani mori vëmendjen e të gjithëve mbrëmjen e 20 shtatorit, e cila kulmoi pikërisht me “ZanIN” e mrekullueshëm të saj.
Fotografia: Orsola Mema