Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, në vitin 1994, ka përcaktuar 5 tetorin si Ditën Botërore të Mësuesit, për të përkujtuar nënshkrimin e Rekomandimit, në lidhje me Statusin e Mësuesve, miratuar nga ana e ILO/UNESCO, në Paris, më 5 tetor 1966. Po në këtë vit, sipas idesë dhe sugjerimit të UNESCO-së, pedagogu zviceran Robert Dottrens (1893 - 1984) hartoi edhe betimin solemn të mësuesit mbi bazën e betimit të Hipokratit.
Sipas UNESCO-së, 5 tetori si Dita Botërore e Mësuesit është një mundësi për të treguar që puna e mësuesve është njëra nga më të rëndësishmet për zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë.
Kjo ditë është edhe një mundësi e mirë që interesi publik të orientohet, në njohjen e rolit të mësuesve në mbarë botën dhe për rëndësinë e tyre në shoqëri, nevojën e sigurimit të një arsimimi dhe trajnimi më të mirë të mundshëm të tyre, pasi cilësia e përgatitjes së mësuesve ka një rol të rëndësishëm edhe në cilësinë e arsimit.
Në Ditën Botërore të Mësuesve, nuk feston vetëm çdo mësues. Më shumë se festa, e sotmja është një ditë që u bën thirrje të gjitha vendeve në mbarë botën të investojnë në arsim dhe t’u japin mësuesve përparësi në përpjekjet globale të rimëkëmbjes së arsimit.
“Le të jemi bashkë me mësuesit tanë!", shkruan në një mesazh të përbashkët zyrtar znj. Audrey Azoulay, Drejtore e Përgjithshme e UNESCO-s, z. Guy Ryder, Drejtor i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, znj. Henrietta H. Fore, Drejtore Ekzekutive e UNICEF-it, dhe z. David Edwards, Sekretar i Përgjithshëm e Edukimit Ndërkombëtar, në Ditën Botërore të Mësuesve 2021.
Po çfarë e bën një mësues të jetë i vlerësuar si “më i mirë”?
Kjo përfshin të gjithë punën e tyre të palodhur, megjithatë secili prej nesh ka një vlerësim real për mësuesin më të mirë. Cili është ai?
A ka ndonjë mësues që ka punuar shumë për t’jua bërë juve mësimin më interesant dhe më të bukur? Apo ndoshta ka një mësues që e bën mësimin argëtues, edhe kur mësimi zhvillohej online?
BBC, në një sondazh të fundit, ka listuar një përqindje votash që i kanë renditur cilësitë që duhet të ketë mësuesi më i mirë.
1. Është frymëzues
2. Është argëtues
3. E bën temën e mësimit gjithmonë interesante dhe argëtuese.
4. I shpjegon gjërat qartësisht dhe qetësisht.
5. Është dëgjues mjaft i mirë.
6. Është i përkushtuar dhe sakrifikues. Një profesion si mësimdhënia kërkon shumë sakrifica dhe përkushtim, durim dhe këmbëngulje…
7. Pa mësuesin, jeta e një nxënësi është një jetë pa asnjë drejtim.
8. Mësuesit janë arsyeja pse nxënësit e zakonshëm ëndërrojnë të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme në jetë.
9. Një mësues i mirë është ai që ushqen shpirtrat e fëmijëve për një jetë të tërë. Ata kanë fuqi unike për të frymëzuar të rinjtë.
10. Fjalët, qëndrimi dhe veprimet e mësuesit ndryshojnë pozitivisht në edukimin e fëmijëve. Duhet të jemi mirënjohës!
Gëzuar Ditën e Mësuesit për të gjithë mësuesit!