E jetoi periudhën e pritjes së ëmbël krejtësisht larg vëmendjes së publikut dhe po kështu, edhe muajt e parë të mëmësisë, por sapo Aurela Hoxha e prezantoi të birin me miqtë virtualë, kureshtja e madhe u drejtua edhe nga partneri.
Pak ditë më parë, një foto me vëllanë bëri lëmsh rrjetin, pasi ishin të shumtë ata që menduan se ishte partneri. Jo, Aurela nuk e ka ndier asnjëherë presionin për ta bërë publik njeriun e zemrës.
Kështu shpjegohet modelja e njohur, e cila prej vitesh është transferuar në Spanjë, atje ku edhe po jeton e lumtur me familjen e saj të re.
E ftuar në “Natën me Aulonën”, Aurela ka ndarë me publikun emocionet e shtatzënisë, të mëmësisë, por edhe ka shpjeguar arsyet e distancës që mban nga rrjeti për jetën private.
E pyetur për profilin e partnerit dhe arsyen pse nuk do ta bëjë publik, Aurela tha:
“Nuk jam ndier e detyruar ta bëj këtë. Ndoshta edhe vjen një ditë që ta publikoj, ndoshta edhe jo. Po ai respekton zgjedhjet e mia dhe jam shumë e lumtur për këtë gjë, prandaj edhe jemi bashkë, sepse kemi gjetur gjuhën. Është totalisht zgjedhje e imja që ta publikoj kur ta ndjej dhe jo kur të kem presionin e publikut, e njerëzve. Do vijë momenti, mbase…”
Edhe për raportin me të, modelja nuk ka dëshirë të flasë shumë, megjithatë diçka zbuloi nga natyra e njeriut që e ka bërë për vete:
"Nuk mendoj se ka çifte që nuk ka zënka e probleme, por është një njeri që rrallëherë ndodh që të më nervozojë. Edhe nëse e bën, di të më qetësojë, është njeri shumë i mirë edhe ajo që vlerësoj më shumë është shpirti dhe mënyra si më bën të ndihem. Fakti që unë ndihem e plotësuar kur jam me të, me mjafton".