Ish-presidenti amerikan Bill Clinton është shtruar në spital në Kaliforni dhe shkaku është një infeksion që nuk ka lidhje me Covid.
Zëdhënësi Angel Ureña bëri me dije se gjendja shëndetësore e Clinton është e mirë.
Megjithëse është e paqartë se çfarë çoi në përkeqësimin e shëndetit të tij, rikujtojmë se Clinton ka një histori të sëmundjeve të zemrës. Në vitin 2004, ai iu nënshtrua një operacioni të katërfishtë të bypassit dhe dhjetë vjet më vonë iu hap një arterie e bllokuar pasi pati dhimbje gjoksi.
Në një deklaratë nga mjekët e tij thuhej se ai kishte marrë antibiotikë dhe lëngje. Mjekët shtuan se Clinton qëndroi në spital për monitorim të vazhdueshëm.
"Pas dy ditësh trajtimi, numri i qelizave të bardha të gjakut po zvogëlohet dhe ai po u përgjigjet mirë antibiotikëve."
Mjekët në spitalin e Kalifornisë janë në kontakt me ekipin mjekësor të Clinton në Nju-Jork, si dhe me kardiologun e tij, dhe thanë se mendojnë që ai do të jetë së shpejti në shtëpi.