Zhvilluesit iranianë të lojërave po përballen me një sërë reagimesh të ashpra në internet mbi një videolojë, në të cilën objektivi është të shpëtohet jeta e George Floyd.

E quajtur "Save The Freedom", loja celulare bazohet në vrasjen e Floyd nga oficeri i policisë Derek Chauvin në Minesota në maj 2020, një incident që nxiti protesta në mbarë botën.

Loja u zhvillua gjatë vitit të kaluar nga forcat paraushtarake Basij të Iranit - një degë e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike - me urdhër të gjeneralit të IRGC-së, Mohammad Reza Naghdi, raportoi Sun. Ai e kishte shprehur idenë në një konferencë dixhitale të Basij në shtator 2020, duke propozuar një lojë ku lojtarët shpëtojnë "këtë qytetar me ngjyrë nga policia amerikane", raportoi Kayhan Life.

Lojëtarët kalojnë përmes 30 niveleve të vështirësisë, duke u përballur me armiq që, me sa duket, po përpiqen të vrasin George Floyd, sipas një postimi në Twitter nga gazetari Séamus Malekafzali.

"Save the Freedom" shkaktoi një reagim të ashpër në mediat sociale, ku shumë njerëz e quajtën lojën "të sëmurë" dhe "të neveritshme".

"Kjo është një shaka në të vërtetë? A mund ta konfirmojë dikush këtë për mua?" -shkroi një komentues i tmerruar.

"Kjo është shumë e sëmurë," -tha dikush tjetër.

"A ka ndonjë gjë nga e cila njerëzit nuk do të përpiqen dhe të përfitojnë?" -shkruhej në një nga qindra komentet.

Fatkeqësisht, kjo nuk është hera e parë që dikush tenton të fitojë para nga vrasja e George Floyd. Në qershor 2020, Amazon bëri një postim për një bluzë për fëmijë ku shfaqej Derek Chauvin i gjunjëzuar në qafën e George Floyd.