Një libër i ri pretendon se ishte Princi Charles ai që spekuloi për ngjyrën e lëkurës së fëmijëve të ardhshëm të Princit Harry dhe Meghan Markle, duke shkaktuar kështu padashur përçarje midis çiftit dhe familjes mbretërore britanike. Këtë e ka konfirmuar një burim në librin e autorit Christopher Andersen "Brothers And Wives: Inside The Private Lives of William, Kate, Harry and Meghan", që doli të martën.

Burimi raportoi se më 27 nëntor 2017 - në të njëjtin mëngjes që u shpall zyrtarisht fejesa e Princit Harry dhe Meghan Markle - Princi Charles i tha gruas së tij, Camilla:

"Pyes veten se si do të duken fëmijët?"

Burimi tha se Camilla ishte disi e befasuar nga pyetja dhe u përgjigj:

"Epo, absolutisht të mrekullueshëm, jam e sigurt".

Duke ulur zërin, Charles pyeti:

"Dua të them, si mendon se mund të jetë lëkura e fëmijëve të tyre?"

Një zëdhënës i Princit Charles tha për The Post:

"Ky është trillim dhe nuk ia vlen të komentohet më tej".

Ndërsa një zëdhënës i Harry dhe Meghan nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Në intervistën e marsit, Meghan tha se pati “shqetësime dhe biseda rreth faktit se sa e errët mund të ishte lëkura e djalit të saj dhe Harry-t, Archie, kur ai lindi… Këto ishin biseda që familja bëri me Harry-n”.

Autori e paraqet çështjen sikur kurioziteti i Charles-it u kap dhe u shtrembërua nga oborrtarët, të cilët i dhanë pyetjes një karakter racist. Sipas Anderson, në kohën kur pyetja e ricikluar u dëgjua nga Harry dhe Meghan, ajo kishte arritur përmasa toksike.

Libri zbulon gjithashtu zhgënjimin e Harry-t pasi ai u ankua te Charles, i cili, sipas një burimi tjetër të brendshëm, i tha princit se ishte "tepër i ndjeshëm për këtë çështje".

William, nga ana tjetër, dyshohet se e quajti komentin e lëkurës "pa takt", por "jo një shenjë racizmi brenda familjes".

Pasi Harry bëri bujë të madhe me akuzat e tij në TV, William u shpreh publikisht, duke u thënë gazetarëve: "Ne nuk jemi një familje raciste.”

Burimi: Page Six