Seria e intervistave të ‘Marshall Center Voices’, nga Dr. Valbona Zeneli, ka të ftuar njerëz të shquar dhe miq specialë që ndajnë me publikun historitë e tyre; në karrierë, në përditshmëri dhe sidomos në qasjet me kauzat më të rëndësishme që shqetësojnë jetën e ditëve tona. Dhjetëra personalitete nga e gjithë bota ofrojnë këndvështrimet e tyre për një gamë të gjerë çështjesh aktuale, politike e sociale që prekin më shumë botën tonë.
Dr. Valbona Zeneli, nga Qendra Evropiane e Studimeve mbi Sigurinë, ‘George C. Marshall’, Gjermani, së fundi ka marrë në intervistë tri ambasadoret amerikane, Yuri Kim, Judy Reinke dhe Kate Byrnes, duke vënë theksin jo vetëm te ndikimi i tyre në një sërë çështjesh që shqetësojnë vendet e rajonit, por edhe te prioriteti i figurës femërore në kauza të rëndësishme politike, ekonomike apo sociale.
Përmbledhje nga intervista me Juri Kim:
Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, ka folur për një sërë çështjesh, duke nisur që nga ndikimi i Rusisë dhe Kinës në rajon e deri tek tri prioritetet e saj në krye të diplomacisë amerikane në Tiranë.
SHBA-të, sipas Kim, kanë qenë partnerë që e kanë mbështetur gjithmonë integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ndaj ajo nuk është e shqetësuar për ndikimet që mund të vijnë nga Rusia dhe Kina.
“Shqipëria e ka shumë të qartë kush është miku dhe armiku. Rusia dhe Kina kanë shumë pak ndikim në Shqipëri. Ato e kuptojnë mjaft mirë se e ardhmja e tyre është e lidhur me Evropën dhe me partneritetin amerikan. Do të punojmë fort për këtë gjë”,- tha ndër të tjera ambasadorja Kim.
Në lidhje me tri prioritetet gjatë qëndrimit të saj në Tiranë, ambasadorja amerikane ka veçuar ato që lidhen me demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin.
“Shteti ligjor, gjykatat e pastra, reforma në drejtësi. Këto janë aspekte themelore të një vendi”,- tha Kim duke iu referuar punës së bërë nga Shqipëria për të pastruar gjyqësorin.
Po kështu, edhe mbrojtja ka një rëndësi shumë të madhe, sipas Kim: “Si anëtarë të NATO-s, neve na intereson një shtet që mban peshën e mbrojtjes dhe të aleancës”,- theksoi ajo.
Për biznesin, ambasadorja e konsideroi të papranueshëm faktin që një vend me pozicion të tillë gjeografik dhe strategjik, të renditet mes vendeve të varfra.
“Nuk ka kuptim. Është një vend shumë strategjik gjeografik. Mjafton thjesht të nxirret në pah potenciali i duhur dhe minimalisht, ky vend do të jetë mesatar”,- tha ajo.
Dhuna ndaj grave është një çështje mjaft e rëndësishme për ambasadoren Kim. Shqipëria, në këtë prizëm, është një vend me tablo të komplikuar. Nga njëra anë, është një shembull I mirë përfaqësia në kabinetin qeveritar me 75 për qind gra, por nga ana tjetër, shifrat e dhunës në familje janë një shqetësim I madh.
“Është e jashtëzakonshme. Kabineti me shumicë grash, shumë i kualifikuar dhe jemi të lumtur të punojmë së bashku. Por nga ana tjetër, dhuna në familje është një problem shumë shqetësues. Do të punojmë fort mbi këtë gjë”,- u zotua Kim.
Bashkë me ambasadoren Kim, ndanë të njëjtin mendim edhe dy ambasadoret e tjera, Judy Reinke dhe Kate Byrnes, për rolin dhe fuqizimin e gruas jo vetëm në pushtet, por sidomos në shoqëri. Është koha, theksuan ato, që të fokusohemi në këtë pikë kyçe për rolin e gruas dhe ndikimin e saj të jashtëzakonshëm në të ardhmen tonë.
Shënim: Artikulli është përshtatur dhe përmbledhur nga intervistat e tri ambasadoreve me Dr. Valbona Zenelin. Intervistat e plota mund t’i ndiqni në videon e mëposhtme.