Arbër Resmja njihet nga të gjithë si shef Abi, sepse ia ka kushtuar gjithë jetën profesionit si kuzhinier. I gjendur në Spanjë në një moshë shumë të re, Arbri zbuloi pasionin e tij për kuzhinën dhe iu përkushtua totalisht, për të arritur këtu ku është sot – një nga shefat e kuzhinës më të mirë në Ibiza.
Restoranti ku ai punon është një nga më të njohurit dhe më të frekuentuarit në Ibiza, por ndoshta, një ditë, Arbri mund të ketë edhe një restorant të vetin në Shqipëri për të sjellë pranë njerëzve të tij eksperiencën shumëvjeçare dhe shijet mesdhetare të servirura siç di vetëm ai.
Në këtë intervistë për revistën Class, Arbri rrëfen si nisi gjithçka për të, si u gjend në këtë profesion dhe si është të gatuash për disa nga emrat më të famshëm në botë.
Si ka lindur pasioni yt për kuzhinën?
Pasióni im për kuzhinën është krijuar ditë pas dite duke iu dedikuar shumë orë. Po ashtu, shumë sakrifica, por edhe dashuri për çdo pjatë apo recetë që përgatitet nga duart e mia. Tani kam arritur ta dashuroj kuzhinën, për mua kuzhina është art.
Na trego diçka për fillimet e tua në Spanjë?
Mbërrita në Spanjë në vitin 2004 falë kushëririt tim Beni. Ai ka studiuar në Barcelonë për chef dhe ndikoi shumë në zgjedhjen time për të vazhduar rrugën e kuzhinës. Te restoranti ku punova nga viti 2004 deri në vitin 2021 arrita falë kushëririt tim Benit, ai kishte kontakte në Formentera dhe më dërgoi aty. Si chef punoj prej 14 vjetësh. Kam punuar 6 vjet në Barcelonë në restorante të ndryshme për t’u perfeksionuar si chef. Aty mësova shumë teknika që më kanë ndihmuar edhe ditët e sotme.
Si është të punosh nën presionin që ka kuzhina?
Shprehja ime e preferuar “PASION BAJO PRESION” (Pasion nën presion). Të punosh në kuzhinë në nivele të larta është pak stres, shumë adrenalinë, kënaqësi shpirtërore… Falenderimet e klientëve e kthejnë presionin në kënaqësi.
Cila është pjata e preferuar e VIP-ave, ajo që kërkojnë më shpesh?
VIP-at dhe shijet e tyre.. Linguinne me aragostë; tipike është Paella me aragostë, karkaleca të Formenteras, molusqe me hudhër, peshk në kripë etj.
Çfarë ndryshimi ka kur gatuan për klientët dhe kur gatuan për njerëzit e tu të dashur?
Për mua nuk ka ndryshim, i hedh të njëjtën sasi dashurie.
Je i përfshirë në kuzhinë edhe në shtëpi? Apo e merr dikush tjetër përsipër gatimin në familje?
Po patjetër, çdo ditë. Mundohem të kem një menu për të gjithë javën dhe është më e thjeshtë. Por kam dhe nië ndihmës-shefe, vajzën time Aysel që do të bëhet si babi, chef. Gatuajmë së bashku dhe çdo gjë bëhet me kënaqësi.
Ka pasur ndonjë moment që ke dashur të heqësh dorë nga kuzhina? Të merresh me diçka krejtësisht tjetër?
Të them jo, gënjej! Po, ka pasur momente që e kam menduar. Në fillimet e mia si chef kalova në kuzhina shumë strikte, me chef ‘old school’, që ishin me të vjetrën, disiplinë maksimale… Kur të flasin keq, të bëjnë të ndihesh si zero. Por gjithçka është një provë për ata. Shprehja që thoshin më shpesh: “O mëso, o tërhiqu nga ky profesion!” Por në mendjen time thosha “duro, mos u dorëzo, mendo për objektivat e tu” … dhe këtu jemi.
Si është jeta në Ibiza? Është gjithçka aq “fun” sa duket në rrjetet sociale?
Ibiza është harmoní, qetësi në dimër, njerëzit janë shumë të dashur, të respektueshëm. Në verë transformohet pak. Ka shumë festë, shumë turistë. Çdo gjë që dëgjoni për Ibiza-n është e vërtetë. Janë diskotekat me party-t më të bukura në botë dhe tërheqin shumë turistë. Por mua më pëlqen Ibiza në dimër, e shfrytëzoj më shumë ishullin.
Kuzhina e cilit vend të intrigon më shumë? Cila të duket më e veçantë apo e çuditshme?
Për mua kuzhina franceze që është dhe abetarja e kuzhinës moderne. Më e veçantë është kuzhina japoneze, jam shumë kurioz… shije umami, brutal…
Cili ushqim tradicional spanjoll të pëlqen më shumë?
Nga kuzhina spanjolle adhuroj Paella Ibizenca. Më pëlqen shumë të gatuaj orizin, është art tjetër që njerëzit thonë “WALAA”.
Po më pak?
Më pak, “los callos madrileños”. Thonë që janë shumë të mira, por për mua jo. (qesh)
Një ushqim tradicional shqiptar që preferon më shumë?
Çdo gjë që gatuan mamaja ime është waalaa. Kuzhina jonë është shumë e mirë, të bën kurioz. Kur jetoja në Shqipëri isha shumë përzgjedhës me ushqimin, por tani ndodh e kundërta, më pëlqen çdo gjë e kuzhinës shqiptare.
Mund të na tregosh diçka në lidhje me planet e tua të afërta?
Plani im dhe dëshira ime është të hap një restorant timin. Opsioni tjetër është Private Chef për VIP-at, si: Cristiano Ronaldo, Johny Deep, Princat e Arabisë Saudite, Qatar. Kam oferta interesante për të ardhmen.
Mendon të hapësh një restorant tëndin në Ibiza apo diku tjetër?
Në Ibiza, shpresoj… Është momenti.
Po në Shqipëri? Mendon të kthehesh një ditë?
Guri rëndë peshon në tokë të vetë… Patjetër! Ëndrra ime është që Tirana, Shqipëria, të ketë yllin e parë Mchelin. Dëshira është e madhe.