Përsheshi me gjel deti është një nga recetat tradicionale për darkën e Vitit të Ri. Sado i largohemi traditës shpeshherë, në festën e fundvitit, në qendër të tryzës shumë familje vendosin përsheshin e Vitit të Ri. Sipas çdo krahine përgatitet me përbërs të ndryshëm.

Përbërësit për përsheshin:

Kulaçi i Vitit të Ri me sodë buke

200 gr arra të qëruara

2 kokrra qepë

një tufë mëndër e freskët (ose e thatë në mungesë të saj)

lëngu i pulës që do piqni

Për pjesën tjetër

1 gjel deti rreth 2 kg e gjysmë

kripë dhe piper i zi

300 gr arra të qëruara

2 feta bukë

majdanoz

pak qumësht

gjalpë në temperaturë ambienti

2 gota verë

lëng vegjetal të ngrohtë

pak vaj ulliri

Përgatitja:

Fillimisht përgatisni kulaçin me sodë buke. Kulaçin e Vitit të Ri e mbeshtjellim me beze dhe e lëmë të kullojë mënjanë.

Vendosim dy fetat e bukës në pak qumësht të zbuten, i shtrydhim dhe i kalojmë në një mikser së bashku me arrat dhe majdanozin, shtoni pak kripë dhe piper të zi. Grijini mirë.

Përcëlloni mirë gjelin, thajeni me letër kuzhine nëse është akoma i njomë dhe kriposeni mjaftueshëm si jashtë dhe brenda, mbusheni me masën prej buke dhe arre që përgatitëm, qepeni daljen me spango kuzhine ose me kunja druri. Lyeni mirë nga të gjitha anët me gjalpin e butë dhe nëse keni kohë lëreni për rreth 1 orë të pushojë në  frigorifer, nëse nuk keni kohë vendoseni të piqet në furrën e nxehur më parë në 180° për 30-40 minuta duke e spërkatur me pak vaj sipër dhe shuar me verën e bardhë kur ka filluar të marrë ngjyrë.

Pas kësaj, mbulojeni me letër alumini, uleni gradacionine sobës në 140 gradë dhe lëreni të piqet për 1 orë e 30 minuta. (Mund dhe mos ta mbuloni nëse gjeli ështe i vogël.) Gjatë kësaj kohe duhet ta njomni me lëng vegjetal të ngrohtë dhe yndyrën e tij. Nga fundi, ngrini gradacionin në 200°, hiqeni letrën e aluminit dhe lëreni të theket plotësisht, lageni përseri herë pas here që mos të thahet mishi. Mblidhni lëngun e tij të gatimit dhe nëse nuk ju mjafton për të bërë përsheshin shtoni pak lëng vegjetal që përdorët për lagien e gjelit. Ndërkohë që kemi gjelin, akoma në furrë përgatisni përsheshin.

Përgatitja e përsheshit:

Thërrmoni kulaçin me duar (është e detyrueshme), grini qepen imët dhe në një enë të bollshme vendoseni të kavardiset me yndyrën e gjelit (vetëm yndyrën, jo pjesën e lëngshme) nëse nuk ju mjafton shtoni pak vaj ose gjalpë, kur qepa ka filluar të marrë ngjyrë transparente shtoni kulaçin e thërrmuar dhe skuqeni për pak minuta. Ndërkohë grini mëndrën imët dhe shtojeni te përsheshi, filloni shtoni ngadalë nga një garuzhde nga lëngu i gjelit të pjekur dhe përziejeni vashdimisht në mënyrë që mos ju ngjitet. Kini kujdes me masën e lëngut që shtoni pasi duhet  shtuar nga pak sespe kështu përsheshi nuk do ju squllet. Vazhdoni në këtë mënyrë derisa brumi i kulaçit te jetë zbutur komplet, spërkateni akoma me mëndër, shtoni thelpinjtë e arrave, përziejeni përsëri dhe shtojeni te tava ku po piqet gjeli dhe lëreni për rreth 5 minua. Në këtë mënyrë do kini një përshesh edhe me të shkrifët.

Fikni sobën dhe lëreni të pushojnë për disa minuta. Servireni të ngrohtë.

Sqarim! Gjeli zakonisht mbushet, sepse kjo e lejon mishin të jetë më i butë, por nuk është e detyrueshme, mund t’i fusni brenda dhe disa gjysma molle dhe limon, në këtë mënyrë do jua ruajnë të butë pjesën e gjoksit e cila është më delikate dhe i japin aromë. Hiqjuani gjatë momentit të servirjes.

Ju bëftë mirë dhe gëzuar!

Adda's All