Bashkëshortja e Ilir Shaqirit, Emanuela, ka folur për herë të parë për tradhtinë dhe faktin që Iliri zgjodhi ta bënte publike këtë pjesë kaq private nga jeta e tyre. Mes të tjerash, ajo tha se pavarësisht të gjithave, falja është shumë e rëndësishme. Emanuela rrëfeu në emisionin “Goca dhe Gra” se nuk ishte aspak e lehtë për të dy, por Iliri u tregua shumë i duruar derisa ajo e fali.
“Unë besoj se në jetë mund të gabohet dhe gjëja më e rëndësishme sipas meje është falja. Është shumë e vështirë të falësh, por edhe të kërkosh që tjetri të të falë. Nuk e justifikoj Ilirin me asgjë, por ishte shumë i zoti, sepse pati shumë durim dhe më lejoi ta falja.
Mendoj se do edhe kurajo ta diskutosh me partnerin, megjithatë e ndjeva nga ana e Ilirit, sepse kemi vuajtur shumë të dy. Ka vuajtur dhe ai në një mënyrë që nuk e shikoja normale dhe thoja si ka mundësi që e ke bërë këtë gjë dhe qan më shumë se unë. Në jetë mund t’i ndodhë kujtdo të gabojë, nuk e justifikoj tradhtinë, kemi 21 vite bashkë… Besoj se në jetë ndodh që të gabojnë njerëzit, por nëse ka ndjenjë, luftohet që të ecet përpara,” –ka thënë ajo.
Emanuela tregoi edhe këndvështrimin e saj, se çfarë e shtyu Ilirin të bënte një rrëfim kaq privat dhe si u ndje ajo nga reagimet e njerëzve.
“Shumica e njerëzve që drejtojnë gishtin tregues janë të parët që e bëjnë. Duhet kurajo dhe ta thuash. Është një gjë që ne e kishim zgjidhur, për ne është diçka e së shkuarës, e vdekur dhe e varrosur. Vendosa të eci para pa probleme. Nuk prisja të flisja dhe ta shikoja unë nga shtëpia dhe të përballesha me këtë publik, por nëse e ka bërë, besoj se kishte nevojë të ndihej vetvetja pa e gënjyer publikun dhe duke hequr plotësisht maskën, duke treguar historinë më të rëndësishme. Besoj se ka qenë shenjë besnikërie ndaj publikut”, -u shpreh ajo.
E pyetur në fund se cilët nga banorët do të nominonte ajo nëse do të kishte mundësi, Emanuela tha emrat e Beniadës dhe Eltionit. Beniadën, sepse sipas saj, është një njeri që nuk mban shumë qëndrime, nuk pozicionohet dhe edhe pse luan shumë me Ilirin, e nominon. Ndërsa Eltonin, sepse ai njihet me Ilirin dhe duhet t’ia thoshte që në fillim rezervat që kishte.