Përqafim! Vërtet e dini kuptimin e tij? Nëse kërkoni kuptimin e kësaj fjale në fjalor do të gjeni këtë përshkrim: "Kur dikush mban diçka apo dikë, duke harkuar duart e duke e shtrënguar mbi trupin e tij". Megjithatë, në rastin e përqafimit, fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar të gjitha emocionet dhe ndjenjat që krijohen kur dy njerëz përqafohen.

Përqafimi shpesh është parajsa që kërkojmë pas një dite të gjatë.

Meqenëse është vërtetuar edhe shkencërisht se përqafimi sjell shumë të mira në shëndetin e njeriut është vendosur që çdo vit në datën 21 janar, njerëzimi feston Ditën Botërore të Përqafimit. Pse? Sepse shumë thjesht përqafimi është i veçantë në çdo kuptim, ndaj edhe duhet ta kujtojmë. Fundja është një arsye më shumë për t’u përqafuar.

Gjithçka filloi në vitin 1986, kur pastori amerikan Kevin Zaborney, atëherë 24 vjeç vendosi se dita e përqafimit duhet festuar, pasi njerëzit duhet të përqafohen më shpesh. Gjithashtu, ai besonte se amerikanët e kishin shumë të vështirë të shprehnin ndjenjat e tyre publikisht.

Por pse u zgjodh data 21 janar? Kevin Zaborney zgjodhi këtë datë, sepse ndodhet mes Krishtlindjes dhe Shën Valentinit. Një periudhë kohore që sipas atij njerëzit nuk dukeshin të gëzuar dhe nuk ishin në humor të mirë. 21 janari u caktua si Dita e Përqafimit në Amerikë, ndërkaq, brenda pak viteve edhe shtete të tjera vendosën se edhe ata duan të festojnë për përqafimin, kështu që Dita e Përqafimit në Amerikë u bë Dita Botërore e Përqafimit. Edhe pse kjo ditë botërore nuk është shënuar një kalendarin e Kombeve të Bashkuara, njerëzit ishin të parët që e “përqafuan”.

Përqafim erotik, shoqëror, familjar apo vllazëror. Çdo përqafim është i rëndësishëm për 1001 arsye. Siç ka thënë edhe psikologia amerikane Virginia Satir, njeriu ka nevojë për 4 përqafime në ditë për të mbijetuar, 8 përqafime për t’u mirëmbajtur dhe 12 përqafime për t’u zhvilluar.

Disa mënyra për të përfituar sa më shumë përqafime

Nëse bëni pjesë në grupin e njerëzve që “vdesin” për një përqafim, por në përditshmëri rrethoheni nga njerëz që nuk para pëlqejnë kontaktin fizik, ju njohim me disa mënyra për të marrë përqafimin që dëshironi.

Mirëpritini miqtë me një përqafim. Harrojeni dhënien e duarve dhe puthjet. Kur i takoni ata preferoni një përqafim. Mbase ata nuk e kanë zakon, por është e sigurt që diçka e tillë do t’ju bëjë mirë.

Mos hezitoni të kërkoni një përqafim. Flisni hapur dhe kërkojini të afërmve tuaj përqafim.

Ktheheni në zakon. Mos humbsni asnjë rast. Me mundësinë e parë që do t’ju jepet përqafoni miqtë dhe familjarët tuaj.

Përqafoni kafshët shtëpijake. Edhe ata duan dashuri dhe madje e vlerësojnë më shumë atë.

Kështu që sapo të gjeni mundësinë, jepni një përqafim. Do t'ju bëjë mirë.