Kur arkeologu italian Luigi Maria Ugolini zbuloi në Butrint skulpturën e kokës së Deas, e konsideroi atë dashuri me shikim të parë, ndaj edhe kërkoi ta merrte menjëherë me vete në Itali. Por planet e tij i prishi pala shqiptare, kur Ugolini tentoi ta trafikonte kokën e Deas drejt Italisë. Ishte viti i largët 1924, pothuaj një shekull më parë, kur historia e Deas ishte sa e bukur, aq edhe intriguese… Kush nuk u magjeps nga bukuria e Deas së sapozbuluar dhe kush mund ta parashikonte asokohe që Dea do të ishte jo vetëm simbol i bukurisë joshëse të çdo kohe, por njëkohësisht edhe zanafilla e një emri që dhjetëra-qindra vajza do e trashëgonin. Dhe ashtu si Dea e Butrintit, edhe të tjerat më vonë do të donin, mbi të gjitha, të ishin sado pak mbretëresha të një zemre.
Kjo jona, në fakt, ia arriti. Pa shumë mundime, le të themi, por me shumë kujdes ia doli të fitojë zemrën e njërit prej kandidatëve më të ëmbël të ‘Love Story’. Sot, as ajo vetë nuk është në gjendje ta shpjegojë, por Albioni i dha një shkëndijë që në çastin e parë që e pa. Kush e dinte që do të ishte ai që, pas disa javësh, do t’i kërkonte të linte gjithçka për ta ndjekur pas dhe kush e kishte menduar që ajo, pa më të voglin dyshim, do ta ndiqte për të ndërtuar një dashuri që pakkush e quajti televizive dhe shumëkush, që e vëzhgoi edhe nga jashtë, e quajti të vërtetë.
U bënë disa javë që Dea dhe Albioni kanë lënë spektaklin e dashurisë, ku edhe nisi historia e tyre, për ta jetuar jashtë ndjenjën e tyre të bukur. Ishte 14 shkurt dita e fundit kur ata u përshëndetën me publikun, por e para që shënoi një rrugëtim të ri në jetën e tyre. Tashmë po jetojnë për pak kohë në Prishtinë derisa të vendosin përfundimisht se ku do të jetë e ardhmja. Nuk ishte i lehtë një vendim i tillë, por, siç thotë Dea, ajo vendosi që ta bëjë e para këtë sakrificë, meqenëse Albioni ka një jetë më të fokusuar te puna dhe familja e tij në Kosovë… Megjithatë, vendimet mbeten ende të hapura.
… Destinacionet, po ashtu. E ardhmja, nuk dihet se çfarë surprizash u ka rezervuar të dyve, por e tashmja duket premtuese. Prej disa javësh, çifti i ‘Love Story’ është sistemuar në një shtëpi në Prishtinë, puna ka nisur për të dy, por edhe përgjegjësitë e para kanë nisur të shfaqen. Dea pranon që nga Albioni është surprizuar, sepse është shumë i përkushtuar edhe në punët e shtëpisë, por edhe Albioni nga ana tjetër po bën maksimumin që Dea të mos ndihet si në vend të huaj.
Për jetën e re pranë njëri-tjetrit, për dashurinë që po jetojnë jashtë dritave, për xhelozitë që ndonjëherë janë të pashmangshme (kush nuk do bëhej xheloz me një vajzë si Dea në krah?), për pasiguritë që ka çdo lidhje dashurie në fillim të saj, por edhe për planet e afërta, Dea dhe Albioni vijnë ekskluzivisht në Class në një intervistë bardhë e zi; transparente, pa doreza, krejtësisht e sinqertë si shkëndija që u reflekton në sy sapo shohin njëri-tjetrin.
DEA, si po shkon dashuria pas ‘Love Story’, ka nisur një jetë e re në Kosovë apo jo?
Po shkon shumë mirë. Kemi nisur një jetë të re bashkë me Albionin, po i japim kohë më shumë njëri-tjetrit dhe, ç’është më e rëndësishmja, jemi bashkë, kështu që jemi shumë të lumtur për këtë. Ka pak kohë që jemi transferuar në Kosovë, por mendojmë që për momentin do bëjmë vajtje-ardhje Prishtinë-Tiranë. Jo vetëm për njerëzit që kemi në këto dy vende, por edhe derisa të gjejmë ekuilibrin dhe jetën që duam të bëjmë të dy.
Pse vendosët Kosovën dhe jo Shqipërinë? Nuk ishte i gatshëm Albioni të sakrifikonte për ty?
Sakrificën e parë të dashurisë e bëra unë (qesh). Mendoj se për Albionin është më e vështirë që të rinisë një jetë të re në Shqipëri, pasi ai ka familjarët dhe bizneset e tij të ngritura në Kosovë.
Ndërsa për mua është disi më e lehtë përshtatja në një vend të ri duke pasur parasysh që punoj edhe ‘freelance’. Plus, mua më pëlqen t’ia nis nga e para, më pëlqejnë vendet e reja, e kam menduar pozitivisht këtë start të ri.
Si ishin ditët e para pas daljes nga programi, ndonjë ‘frikë’ apo pasiguri për atë që ju priste?
Kanë qenë ditë vërtet të vrullshme, të mbushura me mesazhe, kontakte, përgëzime nga njerëz që janë kureshtarë për marrëdhënien tonë jashtë kamerave.
Por kemi pasur mundësinë për të qenë me pranë njëri-tjetrit dhe për të njohur me shumë copëza të njëri-tjetrit. Ka pasur pak nga të gjitha, edhe sherre, edhe debate, edhe momente që e kemi pyetur njëri-tjetrin “A je i sigurt që do ta vazhdojmë këtë njohje?” Por me rëndësi është që në fund të çdo diskutimi, jemi kthyer te njëri-tjetri, për t’u dashur pak më tepër.
Cila është e meta jote më e madhe që mund të të hapë “probleme” me Albionin?
Unë jam tip shumë i shoqërueshëm dhe afrohem lehtë me të tjerët. Ndonjëherë Albioni e keqkupton mirësjelljen time me të tjerët edhe faktin që jam njeri i dashur si flirt. Na hap shumë probleme dhe zënka, por mendoj me kalimin e kohës do e kuptojë që unë kam zgjedhur atë dhe dua vetëm atë, nuk ka arsye për t’u bërë xheloz. Sepse kjo ‘sëmundja’ e xhelozisë vazhdon ta shoqërojë akoma... Megjithëse, me raste, më akuzon mua si fajtore.
Si arrite t’i mposhtësh paragjykimet për një vajzë të re që synon të gjejë dashurinë në ekran?
Nuk është e lehtë që të ndërtosh një histori dashurie në ekran, për më tepër në sytë e publikut shqiptar, pasi shumë gjëra janë ende tabu. Jam ndeshur me komente të shumta pas deklaratës që bëra për një postim në rrjetet e mia sociale. Megjithatë, këto komente nuk ndikuan tek unë, sepse për mua, me vlerë është mbështetja që marr nga të afërmit e mi dhe ata që e kuptojnë që kam qenë e vërtetë.
Unë nuk dola kurrë nga vetja, qëndrova reale, as nuk luajta rolin e “vajzës së mirë”. Doja që njerëzit ta njihnin, ta donin apo ndoshta dhe ta urrenin Dean për atë që është.
Natën e fundit të ‘Love Story’ the se e kuptove që në fillim që Albioni ‘të goditi’. Pse vendose ta bëje atë rrugëtim kur zemra të çonte drejt tij?
Diçka brenda meje e ka ditur prej fillimit që Albioni ishte i duhuri, thjesht nuk ia pranoja vetes. Kam qenë skeptike për dashuritë me shikim të parë, prandaj e mohoja dhe bëja luftë me veten, përpiqesha të bindja zemrën që kisha nevojë për kohë. Në fund të çdo takimi me Albionin, çdo ndjesi dhe emocion të përjetuar, e mbaja fort afër zemrës.
Kuptova që ai ishte i duhuri në momentin që nuk hoqi dorë nga unë, por me qetësinë e tij luftoi dhe besoi në vazhdimësinë e historisë sonë. Kimia lindi që në takimin tonë të parë. Ndaj pastaj reflektova dhe mendova se nuk ia vlente të “luftoja me mullinjtë e erës”, vendosa t’ia shpreh atë që ndiej atij dhe të gjithë publikut.
Megjithatë, ne pamë edhe flirte të tjera, takimi me Kristin për shembull... kishte “zjarr” aty...
Dua që ta sqaroj njëherë e mirë marrëdhënien time me Kristin, meqë po më jepet sërish rasti. Ndonëse u shfaq si një takim provokues, të dy ishim të sigurt që nuk mund të lindte asgjë mes nesh. Qëllimi ynë ishte “të zgjonim” pak kastin e vajzave dhe djemve. Dhe ia dolëm mbanë më së miri. Megjithatë, ne jemi dhe besoj do mbetemi miq të mirë.
Ama disa djem në spektakël janë ende të pasigurt në raportin tuaj... madje edhe një pjesë e publikut gjithashtu, çfarë mund t’u thuash për vërtetësinë e kësaj dashurie?
Nuk e di pse janë skeptikë apo si mund t’ua shuaj skepticizmin, por ndoshta e kanë parë që Albioni ka shprehur hapur xhelozinë e tij në disa raste dhe mund të mendojnë se kjo mund të bëhet pengesë. Por ne i japim njëri-tjetrit shumë dashuri dhe Albioni, po ashtu, është mjaft i dashur me njerëzit që do dhe fal dashuri pa kushte. Edhe gjatë këtyre javëve që po jetojmë bashkë, më ka habitur me përkushtimin dhe kujdesin që tregon ndaj meje, ashtu si ndaj të gjithë njerëzve që ka dhe do pranë vetes.
Cili ka qenë komenti/lajmi më i çuditshëm që ke dëgjuar për veten gjatë kohës në ‘Love Story’?
Me thënë të drejtën, pas puntatës që u transmetua në ‘Love Story’, kur unë dhe Albioni u deklaruam për njëri-tjetrin, shumë njerëz më kanë shkruar e më kanë uruar duke menduar që ne u kurorëzuam (qesh). Ky ishte lajmi më i çuditshëm dhe komik në të njëjtën kohë. Për komentet në rrjetet sociale, më mirë të mos flas. Ndonëse pjesa më e madhe e tyre kanë qenë pozitive dhe për këtë i falënderoj të gjithë që më kanë mbështetur dhe uruar.
Aktualisht, me çfarë po merreni në Kosovë? Ndryshon jeta e Tiranës nga ajo e Prishtinës?
Ende nuk na besohet që eksperienca në “Love Story” përfundoi kaq shpejt, por e rëndësishme është që ia arritëm qëllimit për të plotësuar gjysmat e zemrave tona.
E ardhmja e afërt është në Kosovë, ky është plani fillestar, të jetojmë pak kohë në vendlindjen e Albionit. Po merremi ende me organizimin e disa punëve, takime me miq edhe të afërm të njëri-tjetrit. Albioni vijon me punën dhe biznesin e tij, ndërsa unë po shqyrtoj disa oferta...
Të tipit... Synon televizionin, me sa po kuptoj?
Unë nuk po synoja gjë, por ai po më synon mua (qesh). Në fakt, për momentin nuk mund të them asgjë konkrete. Ajo që mund të zbuloj është që jam e habitur sa mirë më kanë pritur në Kosovë dhe sa shumë më kanë ndjekur. Po, po mendoj edhe disa oferta që më janë bërë për të qenë pjesë e ekranit. Pse ta mohoj, më joshin, ama kaq mund të them tani për tani, sepse ende nuk e di se si dhe çfarë do të vendos. Tani që vendimet nuk merren më vetëm, bëhet edhe më e vështirë apo jo? (shaka).
Po mendoj çfarë mund të bëjë në televizon një ekonomiste që ka punuar edhe stjuardesë...
Mendoni që unë mund të jem e aftë “për t’i çuar në re” ëndrrat e të rinjve, hahaha. Meqë u rikthyem te puna ime si stjuardesë, e kam thënë edhe në ‘Love Story’ që ka qenë një punë të cilën e kisha ëndërruar dhe ia arrita. Natyrisht, s’mund ta bëja gjithmonë, por fluturimi mbi re të çon në një botë tjetër, pa dyshim edhe të vizitosh vende të ndryshme të botës është një mundësi që nuk e gëzon kushdo. ‘Të qenit në ajër’, që disa herë edhe u paragjykua në spektakël, ka në fakt një adrenalinë që jo të gjithë e përkthejnë njëlloj. Unë e kam shijuar shumë, por të mos flasim për pjesën brenda avionit, kur njerëzit (shqiptarët) zihen edhe për “kush e mori valixhen time”.
Do më thuash tani si i keni lidhjet me familjarët, me motrat e Albionit, për shembull?
Ahhh, a mund ta shmang këtë pyetje? Bëj shaka. Kam parë që Albioni është shumë i lidhur me motrat e veta, por edhe ato me të. Vëlla i vetëm, çfarë mund të prisja? Kam pasur mundësi t’i takoj dhe janë shumë të mira. Natyrisht, kanë jetën e tyre dhe nuk mendoj që do ndikojnë në mënyrën se si duam ne ta jetojmë jetën tonë. Një pjesë janë rritur dhe edukuar jashtë, kështu që më vjen mirë që kemi filluar të ndërtojmë një raport korrekt duke respektuar hapësirat e njëri-tjetrit.
Po bashkëjetesa me Albionin si është, kush i bën punët në shtëpi? Ke filluar të mësosh gatimin apo vazhdon ta mbulojë Albioni këtë sektor?
Ëmmm, gatimin e kam pikë të dobët. Nuk di të gatuaj dhe për momentin, le të themi “po sajohemi”. Albioni është shumë i përgjegjshëm dhe i përkushtuar dhe për këtë më ka habitur, nuk e prisja në këto nivele. Ai gatuan në pjesën më të madhe të rasteve, ose vendosim të hamë jashtë. Prishtina ka shumë ushqime të shijshme, kështu që s’ka pse të mbetet gatimi vetëm “pengu” im. Bëj shaka, por do mësoj edhe unë të gatuaj shumë shpejt...
Ndonjë plan tjetër, të afërt, për zyrtarizimin e kësaj dashurie?
Për momentin nuk mund të themi asgjë. Po përpiqemi të sistemohemi me jetën tonë, tanimë së bashku dhe, më vonë, të shohim. Jemi ende shumë të rinj, kemi kohë për të menduar për hapa të tjerë në të ardhmen. Për momentin, jemi bashkë dhe jemi shumë të lumtur.
ALBION, ç’notë do t’i vendosje rrugëtimit në ‘Love Story’, do të ndryshoje gjë po të ktheheshe pas?
Pa asnjë dyshim, do t’i vendosja një 10 me yll. Kam fituar një dashuri dhe kjo më bën shumë të lumtur. Nuk do të ndryshoja absolutisht asgjë. Çdo gjë ka qenë super për mua dhe këtë e tregoi edhe finalizimi.
Cila është e para gjë që të tërhoqi te Dea, pas së cilës mendove se lidhja me të do të ishte e gjatë?
E para gjë që më tërhoqi të Dea ishte karakteri i fortë, pozitiviteti, respekti, dhe për çdo gjë ishte e matur. Ishin veçori që më tërhoqën më shumë drejt saj, kështu që nga java në javë, vetëm më forcohej ndjenja për të. E kuptova shpejt që do të ishim për njëri-tjetrin (natyrisht, pasi konstatova edhe pëlqimin e saj).
Si do ta përshkruash Dean me tri cilësi?
Dea, së pari sakrifikon për atë që ka në krah pa pasur asnjë kusht dhe kjo, për mua do të thotë shumë për karakterin e një njeriu. Pastaj, siç e thashë edhe më lart, karakteri, por edhe ambicia e saj, më kanë bërë të kuptoj se është një vajzë me vlera, ndaj edhe dua ta kem gjithmonë pranë vetes.
Po e meta e saj më e madhe që ke vënë re deri tani? (nuk pranohet ‘e lazdrueme’)
Hahaha, është përtace.
Çfarë ishte më e vështirë kur përpiqesh të krijosh marrëdhënie në një program televiziv?
Të cënohet jeta private, mendoj që kjo është më e vështirë. Duhet të përballesh me lloj-lloj sulmesh, herë të drejta, por më shumë të padrejta, me paragjykime, me komente. Prania e kamerave e bën njohjen po ashtu më të vështirë, sepse ne, sado të duam të jemi vetvetja, e kemi të vështirë kur mendojmë se është një publik i tërë që na ndjek. Duhet të tregojmë para tij anën tonë më të mirë, ndonëse në realitet, nuk është gjithmonë ajo që shfaqim.
Megjithatë do t’ua sugjeroje bashkëmoshatarëve të tu një eksperiencë të ngjashme, pse?
Është një eksperiencë e mirë, njihesh më shumë me njerëz, e di se ç’do nga jeta dhe gjithmonë je një hap para, sepse je gjithmonë i rrethuar me njerëz të arsimuar dhe që kanë motive të qarta për jetën.
Si kanë qenë ditët në çift, pas kamerave? Çfarë ke zbuluar të re te Dea?
Super, super mirë. Nuk jam ndier asnjëherë më mirë se me Dean. Tani që jam edhe pas kamerave, po e njoh edhe më shumë, madje kam zbuluar që nuk është e lazdrume (e llastuar), por është përtace.
Njëra nga motrat dha vlerësimin më të mirë për Dean (dhe ty ta bëri qejfin shumë). Mund të na tregosh pak më shumë për këtë?
Po, nga motra e tretë kam marrë një vlerësim që më ka pëlqyer shumë dhe besoj se ia kam dalë t’i tregoj që jam i njëjti si para kamerave, ashtu edhe pas tyre. (Uroj që deri në fund t’i tregosh Deas dhe publikut se jo vetëm je i mirë në pamje, por në të gjitha aspektet. Dea duhet ta ndiejë veten me fat). Dhe unë jam i bindur që kështu do të jetë.
Një çift showbiz-i apo një çift tërësisht i shkëputur nga jeta publike? Pse?
Përderisa kemi qenë në një spektakël që ka pasur shikueshmëri të madhe, normal që çift showbiz-i do jemi, hahaha.
I ke kërkuar Deas të ndryshojë diçka për ty (përveç faktit që po vjen pas teje)?
Jo, s’i kam kërkuar asgjë tjetër, thjesht dua të jetë vetvetja në çdo kohë. Nëse jemi ata që jemi, do të jemi gjithmonë të lumtur pranë njëri-tjetrit.
Dashuri me famë apo famë pa dashuri? Si është lidhja juaj?
Veç dashuri për njëri-tjetrin dhe të kalojmë sa më mirë si shokë. Gjithçka tjetër pas kësaj, do të jetë më mirë për të dy. Mendoj se më e mira është dashuri me lumturi.
… Dashuria u lexohej që në sy, mjafton të shihje sa më vëmendje dhe kujdes ndiqnin lëvizjet e njëri-tjetrit gjatë këtij seti fotografik. Nuk ishte fare e vështirë t’u kërkoje ta përcillnin tek të gjithë këtë ndjenjë të pastër që u ka lindur, madje as edhe t’u thoje si duhet të pozonin para aparatit. Të dy janë të mësuar me fotografinë, me dritën dhe ngjyrat që përcjell ajo, por zgjodhën që këtë herë të vinin “të zhveshur” para publikut.
Bardhë e zi për të treguar se risia është tek ‘të qenit bashkë’. Një çift i bukur që, më shumë se sytë me ngjyrë, te njëri-tjetri depërtojnë përmes ngjyrave të shpirtit. Dhe nëse ato janë gjithmonë të çelura, është e sigurt që kjo do të jetë jetëgjatë, sado bardhë e zi të jetë jeta jashtë. Sepse ngjyrat e zemrës janë gjithmonë jetëgjata…
Edhe në setin bardhë e zi të Deas dhe Albionit pati ngjyra plot… për ata që mund t’i shohin.
Credits:
Fotografia: Orsola Mema
Design: Xhesika Berisha
Veshjet: danidathelabel