Sipas një mjekeje që punon në Tiranë, gratë që jetojnë në qytet, që janë me nivel arsimor të lartë, të punësuarat dhe të pamartuarat janë më në rrezik për t’u prekur nga tumori i qafës së mitrës. Sipas programit të fundit të depistimit, prevalenca e përgjithshme e HPV-së me rrezik të lartë ndër pjesëmarrëset në program ishte 6.1%.

Mjekja gjinekologe në qendrën shëndetësore nr.4 në Tiranë, Amarda Pihoni ka thënë për gazeta “Si” se shkak i prevalencës së lartë sidomos tek gratë e pamartuara është mungesa e jetës aktive seksuale, gjatë së cilës evidentohen më shpesh problemet e HPV (Virusi i Papilomës Humane që shkakton tumorin në qafën e mitrës).

Këtë e vërtetojnë edhe rezultatet e depisitimit ku gratë që rezultuan pozitive me HPV raportuan se kishin përdorur më shpesh shërbimin e pap-testit në të shkuarën, krahasuar me gratë që rezultuan negative. Mjekja thotë gjithashtu për “Si” se gratë e shtresave socio-ekonomike më të ulëta dhe banore të zonave rurale, kishin prevalencë më të ulët të infektimit me HPV dhe ishin më të prirura për të përdorur programin kombëtar të depistimit sistematik, të joshur nga mundësia që ai ofron sa i përket aksesit të lehtë dhe kostove të papërfillshme.

Numri më i madh i grave më në risk për t’u prekur nga tumori i qafës së mitrës ishin rrethet Tiranë, Vlorë, Lezhë, Gramsh, Gjirokastër dhe Devoll. Prevalencë më e ulët u konstatua në Has, Peqin, Përmet, Malësi të Madhe dhe Kukës. Ekspertët e shëndetit publik përjashtuan infektimin nga partneri, por konsiderojnë si faktor risku për rritjen e infektimit me HPV duhanpirjen.