Pandemia e Covid-it ka shkaktuar vdekjen e afro 15 milionë njerëzve në mbarë botën, vlerëson Organizata Botërore e Shëndetësisë. Kjo do të thotë 13% më shumë vdekje sesa pritej normalisht gjatë dy viteve. OBSH beson se shumë vende nuk i numëruan të vdekurit nga Covid, pasi vetëm 5.4 milionë u raportuan.

Në Indi, kishte 4.7 milionë vdekje nga Covid, thotë OBSH - 10 herë më shumë se shifrat zyrtare - dhe pothuajse një e treta e vdekjeve nga Covid në nivel global. Qeveria indiane e ka vënë në dyshim vlerësimin, duke thënë se ka "shqetësime" për metodologjinë, por studime të tjera kanë arritur në përfundime të ngjashme në lidhje me shkallën e vdekjeve në vend.

OBSH tha se shumica e 9.5 milionë vdekjeve shtesë që shihen mbi 5.4 milionë vdekjet e raportuara nga Covid, mendohej se ishin vdekje të drejtpërdrejta të shkaktuara nga virusi, sesa vdekje indirekte.

Duke folur për shkallën e shifrave, Dr.Samira Asma, nga departamenti i të dhënave të OBSH-së, tha:

"Është një tragjedi. Është një shifër marramendëse dhe është e rëndësishme për ne që të nderojmë jetët e humbura, dhe politikëbërësit duhet të mbajnë përgjegjësi. Nëse nuk numërojmë të vdekurit, do të humbasim mundësinë për të qenë më të përgatitur për herën tjetër”, -tha ajo.

Dr.Samira Asma

Krahas Indisë, vendet me numrin më të madh të *vdekjeve të tepërta përfshijnë Rusinë, Indonezinë, SHBA-në, Brazilin, Meksikën dhe Perunë, sugjerojnë shifrat e OBSH-së. Shifrat për Rusinë janë 3 herë e gjysmë më shumë se vdekjet e regjistruara në vend.

*vdekje të tepërta - vdekje më shumë se numri i raportuar

Raporti gjithashtu shikon normat e vdekjeve të tepërta në raport me numrin e popullsisë së secilit vend. Vendet me shkallë të ulët të vdekshmërisë së tepërt përfshinin Kinën, që ende po ndjek një politikë "zero Covid" që përfshin testime masive dhe karantina; Australinë, që vendosi kufizime të rrepta udhëtimi; Japoninë dhe Norvegjinë.

Akademikët që ndihmuan në përpilimin e raportit pranojnë se vlerësimet e tyre janë më spekulative për vendet në Afrikën Sub-Sahariane, sepse ka pak të dhëna për vdekjet në rajon. Nuk kishte statistika të besueshme për 41 nga 54 vende në Afrikë.

Burimi: BBC