Deri më tani, e kemi parë Balenciaga-n të tejkalojë çdo kufi në fushën e modës. Duket se marka luksoze e kthen çdo gjë të çuditshme në trend.
Linja e fundit e këpucëve "Paris Sneaker", ashtu si thuajse çdo krijim i markës, ka ndezur debate online.
Këpucët kanë një siluetë që të kujton klasiken Converse Chuck Taylor dhe vjen në ngjyrat e zeza dhe të bardha që janë qëllimisht të dëmtuara, duke shtuar teksturë dhe vrima në pjesën e sipërme të tekstilit, si dhe shenja gërvishtjeje dhe konsumim në gomë. Duhet të theksojmë se kushtojnë plot 1850 dollarë. Nëse doni të shpenzoni më pak, mund të merrni versionin e padëmtuar që kushton 625 dollarë.
Tashmë e dimë se ekipi që qëndron pas Balenciaga-s është mjeshtër në marketing dhe për Paris Sneaker, marka ka krijuar një fushatë kushtuar siluetës së re, duke shfaqur këpucët me konsumim ekstrem, papastërti dhe shumë shenja. Sipas Balenciagas, kjo është bërë për të treguar se atletet e Parisit janë "të destinuara për t'u veshur gjatë gjithë jetës".
Atletet vijnë në një seri të kufizuar prej 100 copësh që janë në dispozicion në Balenciaga.com prej 9 majit në Evropë, ndërsa në Shtetet e Bashkuara dhe dyqanet e Lindjes së Mesme do të jenë prej 16 majit dhe në Japoni më 23 maj. Këpucët do të dalin më vonë në mbarë botën.
A do të paguanit qindra dollarë për atlete të grisura dhe të konsumuara?