Nënë e 4 vajzave të bukura, të moshave dhe karaktereve të ndryshme, për moderatoren Ermira Çausholli ato janë burimi i forcës dhe qetësisë së saj. Shtatzëninë me secilën prej tyre ajo e mban mend mirë, po ashtu edhe lindjet, të cilat kanë qenë të gjitha natyrale dhe përgjithësisht pa probleme.

Por ndërsa në emisionin që drejton, “E ardhmja është vajzë”, Ermira ka një rubrikë dedikuar vështirësive në jetë të vajzave, këtë here ajo merr një moment për vete në programin “Rudina” në Tv Klan për të rrëfyer çastin e saj të frikës.

Lindja e Lunës ka qenë më e vështira. Ndoshta s’e kam treguar ndonjëherë. Ky mund të jetë moment i shumë grave që lindin fëmijë në mënyrë natyrale. Ishte çdo gjë krejt normale dhe vetëm në ditën e lindjes Lunës iu mbështoll kordoni rreth qafës dy herë. Kjo nuk ishte parë në eko, ndoshta gjatë lindjes, në momentet e dhimbjes, diçka, nuk e di ç’kishte ndodhur dhe Luna një fëmijë i madh për trupin tim, e lëvizshme. Ka qenë një mami, mbaj mend, e cila më ka dhënë një forcë të jashtëzakonshme. Në moment ata e kuptuan që ishte një problem i tillë, unë i pashë të shqetësuara dhe më thotë “Duhet të bëhesh tani e fortë që të shpëtojmë bebin”. “Është mirë në këtë moment që flasim?” i them, “është shumë mirë, na duhet ndihma jote”.

Shumë nëna që i kanë lindur fëmijët vetë, ma kuptojnë këtë moment. Në momentin që vjen instinkti për të lindur, mamia më thoshte, “ke dhimbje tani?”, unë i thoja “po”, “do ndalosh instinktin e lindjes së fëmijës, nuk do sforcohesh, nuk do shtysh”. Ishte gjëja më e tmerrshme e mundshme që ti të mundje instinktin. Unë, e lodhur nga dhimbja, duhet të shtyja në momentin kur nuk kisha dhimbje, kjo u bë për 3 ose 4 herë derisa Luna lindi. E bukura e dheut, nuk qau që në fillim, se e ruante zërin për të kënduar. Shumë profesionistë mjekët e ‘Koço Gliozheni’. Mamia e mori me një shpejtësi që s’ta shpjegoj dot, e hoqi dy herë atë, e fërkuam pak te kurrizi dhe Luna filloi të qajë. Këtë kujtoj si vështirësi të atij momenti, por që ia dolëm”.