Bruce MacVittie, aktori i njohur për rolet e tij në “The Sopranos” dhe “Sex and the City”, është ndarë nga jeta në moshën 65-vjeçare.
Mësohet se MacVittie ndërroi jetë në një spital në Manhattan. Lajmi është konfirmuar nga bashkëshortja e tij, Carol Ochs, për “New York Times”, të enjten.
Ende nuk është mësuar cili ka qenë shkaku i vdekjes së aktorit.
MacVittie u bë i njohur për rolin e tij si Danny Scalercio në “The Sopranos”, por edhe për rolet në “Law & Order” dhe “As The World Turns”.
Karriera e tij filloi në Broadway, ku punoi si student i Al Pacino-s në produksionin e vitit 1983 “American Buffalo”. Më vonë ai mori rolin kryesor.
Karriera e tij artistike përfshin shumë shfaqje të njohura, si rolet në “Miami Vice”, “Sex and the City”, “Oz”, “Blue Bloods”, “Chicago Med” dhe “The Deuce”.
Aktori gjithashtu u shfaq me role në “StoneWall”, “Hannibal” dhe “Brooklyn’s Finest”.
Bruce ka lënë pas gruan e tij dhe vajzën e tyre Sophia Oliva Ochs MacVittie.