“Dirty Dancing” do të rikthehet pas më shumë se tri dekadash. Lajmi i rikthimit të filmit klasik është bërë publik nga disa media ndërkombëtare. Aktorja kryesore e filmit origjinal, Jennifer Grey, jo vetëm do të luajë, por edhe do të jetë si producente ekzekutive. Kompania e prodhimit të filmave ‘Lionsgate’, në fakt e ka konfirmuar lajmin qysh në vitin 2020, por pak ditë më parë janë bërë publike edhe detaje të tjera.

Jonathan Levine, regjisori i “Long Shot”, është ndër të parët emra që është bërë publik, ndërsa skenari mban emrin e Elizabeth Chomko. “Dirty Dancing” ka qenë gjithmonë një nga filmat e preferuar të Levine, por nuk e kishte imagjinuar se një ditë do të drejtonte vazhdimin.

Gjatë shkrimit të tij, u dashurova me personazhe të rinj dhe të vjetër, me botën e viteve 1990, New York-un dhe muzikën, e cila do të variojë nga këngët nga filmi origjinal deri tek hip-hopi i viteve ’90. Mezi pres të bashkëpunoj me Jennifer për të sjellë këtë histori të bukur të romancës dhe kërcimit te një brez i ri fansash. Dhe atyre prej shumë vitesh, u premtoj se nuk do t’ua shkatërrojmë fëmijërinë”,-u shpreh ai.

Grey do të risjellë rolin e saj, ndërsa aktorët e tjerë ende nuk janë bërë publik. Mësohet se skenari do të ketë ndryshime, por ende nuk janë bërë publike hollësitë.

Dirty Dancing 2” do të nisë xhirimet gjatë këtij viti, por transmetimin synon ta arrijë në vitin 2024.