Një grua doli topless në tapetin e kuq në Festivalin e Filmit në Kanë për të protestuar kundër dhunës seksuale në Ukrainë. Ajo hoqi fustanin për të zbuluar trupin e saj të pikturuar me ngjyrat e flamurit ukrainas me fjalët: "Mos na përdhunoni"!

E veshur me të mbathura të ngjyrosura në të kuqe, protestuesja bërtiti dhe pozoi për fotografët përpara se të largohej nga rojet e sigurisë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha muajin e kaluar se hetuesit kishin marrë raporte për qindra raste përdhunimi në zonat e pushtuara më parë nga trupat ruse, përfshirë edhe sulme seksuale ndaj fëmijëve të vegjël.

Zelensky u shfaq në një lidhje me video në ceremoninë e hapjes së Festivalit të Kanës të martën, ku bëri thirrje për ndihmë për vendin e tij.

Lufta ka qenë një temë kryesore në festival, me një shfaqje speciale të enjten të "Mariupolis 2", një dokumentar nga regjisori lituanez Mantas Kvedaravicius, i cili u vra në Ukrainë muajin e kaluar nga forcat ruse.