Si një prej sëmundjeve më të zakonshme të sistemit nervor qendror, Skleroza Multiple ka prekur më shumë se 2.3 milionë njerëz në të gjithë botën, sipas Federatës Ndërkombëtare të Sklerozës Multiple.

Skleroza Multiple është një sëmundje kronike që prek sistemin nervor duke shkaktuar një sërë simptomash të mundshme, përfshi problemet me shikimin, lëvizjen e krahëve ose të këmbëve, ndjeshmërinë ose ekuilibrin. SM-ja është një sëmundje që e shoqëron individin gjatë gjithë jetës, e cila dhe mund të jetë në formë të lehtë por edhe mund të shkaktojë paftësi serioze në shëndetin e individit. Kjo sëmundje mund të shfaqet në çdo moshë, por më e zakonshme është në moshat 20-30 vjeç, dhe haset 2-3 herë më tepër te femrat sesa te meshkujt. Një ndër shkaqet më të shpeshta të aftësisë së kufizuar tek të rinjtë (20-30 vjeç) është Skleroza Multiple.

Simptomat e Sklerozës Multiple

Simptomat mund të variojnë nga një individ tek tjetri dhe mund të prekin çdo pjesë të trupit. Simptomat kryesore janë:

Lodhje

Vështirësi në ecje

Probleme me shikimin si p.sh.shikim i paqartë

Probleme me kontrollin e fshikëzës së urinës

Mpirje ose ndjesi si shpim me gjilpërë në pjesë të ndryshme të trupit

Spazma dhe ngërçe apo ngurtësime muskulore

Probleme me ekuilibrin dhe orientimin

Probleme me të menduarit, të mësuarit dhe planifikimin

Në varësi të tipit të Sklerozës Multiple që individi ka, simptomat mund të shfaqen dhe të ikin në faza të ndryshme, por edhe mund të përkeqësohen në vazhdimësi.

Tipet e Sklerozës Multiple

Skleroza Multiple mund të fillojë në 1 ose 2 mënyra: me përsëritje individuale (me atak, ose me përkeqësim) ose me progres gradual.

Cilët janë shkaktarët e Sklerozës Multiple

Skleroza Multiple është një sëmundje autoimune, ku sistemi imunitar sulmon sistemin nervor dhe kryesisht shtresën e cila mbështjell dhe mbron nervat (mielinën). Është e paqartë se cili faktor ndikon në sistemin imunitar që të sulmojë sistemin nervor, por shumica e ekspertëve mendojnë se mund të përfshihen një kombinim i faktorëve gjenetikë dhe mjedisorë.

Trajtimi i Sklerozës Multiple

Aktualisht nuk ka një mjekim për SM-në, por disa trajtime mund të ndihmojnë kontrollin e gjendjes shëndetësore. Trajtimi që i nevojitet një pacienti varet nga simptomat specifike dhe nga vështirësitë që ai ka.

Trajtimi mund të përfshijë:

Trajtimet specifike për simptomat individuale të SM-së.

Trajtimin e rasteve të përsëritura me ilaçe steroide për të përshpejtuar rikuperimin.

Trajtimin për të zvogëluar numrin e episodeve të përsëritura duke përdorur ilaçe të quajtura terapia për modifikimin e sëmundjes. 

Terapitë e modifikimit të sëmundjes mund të ndihmojnë gjithashtu për të ulur apo ngadalësuar përkeqësimin e përgjithshëm të paaftësisë te pacientët me SM përsëritëse apo me SM progresive dytësore, të cilët zhvillojnë episode përsëritëse. Aktualisht nuk ka asnjë mjekim që mund të ulë apo ngadalësojë progresin e SM-së progresive parësorë ose SM-së progresive dytësore kur episodet përsëritëse mungojnë.

Të jetosh me Sklerozën Multiple

Nëse jeni diagnostikuar me SM, është e rëndësishme të kujdeseni për gjendjen shëndetësore të përgjithshme. Të jetosh me SM është një sfidë e madhe, por trajtimet e reja gjatë 20 viteve të fundit kanë përmirësuar dukshëm cilësinë e jetës te pacientët e diagnostikuar me SM. Skleroza Multiple shumë rrallë është fatale për jetën.