Titulli: Diaboliket

Titulli në origjinal:

Les Diaboliques

Autor: Jules-Amédée Barbey d’Aurevilly

Përktheu: Diana Çuli

Zhanri: Novela

Data e botimit: maj, 2022

Numri i faqeve: 345

Çmimi: 1400 lekë

Koleksioni: Skandal

“Çdo libër i ndaluar ia vlen për t'u lexuar.”

Isaac Asimov

ISBN: 978-9928-371-07-2

Mosha e sugjeruar: 17 vjeç e lart

 

Libri me një fjali

Shtatë mëkate vdekatare, të simbolizuara në figura femërore joshëse dhe diabolike, të cilat përmbysin moralin kallp të shoqërisë konsevatore e patriarkale.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

“Diaboliket” është pa dyshim vepra më përfaqësuese e shkrimtarit me një personalitet të spikatur Jules-Amédée Barbey d’Aurevilly: krijesat e tij, perverse dhe tërheqëse, të përbindshme dhe të adhuruara, përshkruhen me kënaqësinë e atij që, teksa lë të shfaqet kudo dëshira dhe epshi, i jep rëndësi erotike çdo detaji, dhe heronjtë e tij, dandy të lodhur e të zhgënjyer, verbohen nga eleganca, sqima, luksi dhe nga të gjitha ëndjet e shqisave.

Libri, i përbërë nga gjashtë novela, rrëfen për një shoqëri viktoriane, borgjeze, patriarkale, me fjalët të tjera, një shoqëri e përqendruar te burrat, konservative, e dominuar nga arsyeja. Mirëpo, gjendet përballë faktit që jeta jonë ushqehet nga pasionet dhe emocionet, veçanërisht nga ato seksuale: tërheqja, eksitimi dhe natyrisht, dashuria erotike.

Barbey d’Aurevilly, i pakënaqur me botën ku jeton, është i shqetësuar nga kontrasti i madh mes një morali të ngurtë katolik dhe një shijeje të panënshtruar për situatat dhe ndjenjat e sëmura, ai mëton të shfaqë aristokracinë nën dritat e një teatri me perversitete nga më të rafinuarat e dredharake.

“Diaboliket”, botuar për herë të parë më 1874, shkaktoi një bujë të madhe në Parisin e asokohshëm dhe të gjitha kopjet e librit u sekuestruan nga Ministria e Drejtësisë franceze, sepse përbënte kërcënim për moralin publik. Skandali i madh i siguroi librit një sukses të jashtëzakonshëm, por tani konsiderohet si një klasik i rëndësishëm dhe studiohet në shkollat franceze.

“Diaboliket” ju flet gjithë lexuesve të letërsisë dekadente dhe gotike e sidomos atyre që u pëlqejnë romanet me fammes fatales.

 

Kritika

Personazhet femërore të Barbey-t kanë gjithnjë gisht në përcaktimin e fatit të tyre, ndonëse mundësitë e zgjedhjeve i kanë më të kufizuara sesa burrat.”

Los Angeles Review of Books

“D’Aurevilly të fton të marrësh kungatën me të njësoj siç do të të kishte ftuar

dikush tjetër për darkë.”                         

Charles Baudelaire

“Ky është një kremtim i shtatë mëkateve vdekjeprurëse, pa iu vënë përballë shtatë virtyte kardinale. Për më tepër, është një kremtim i krenarisë, i krenarisë së aristokracisë së lashtë të së keqes..”

Robert Irwin

Sekretet e të fshehtat janë të shumta: ekstazat përshkruhen përgjysmë. Lexuesit ndoshta kanë të njëjtin frustrim të njërit prej dëgjuesve të Barbey-t që thërret: “Çfarë e shtyn njeriun të veprojë kështu?”

The Times Literary Supplement

 

Autori

Jules-Amédée Barbey d’Aurevilly lindi në Saint-Sauveur-le-Vicomte të Normandisë, më 1808. Në moshën 18-vjeçare shkoi në Paris, ku jetoi gjithë jetën e vet, duke shfaqur, falë një rente të lënë në trashëgimi nga xhaxhai i vet, shije aristokrate dhe sqimë të jashtëzakonshme, derisa, për shkak të varfërisë, u detyrua të punonte si gazetar dhe kritik letrar.

Ishte i prirur drejt zhanrit të historive misterioze, që eksploronin shtytjen e brendshme të njeriut drejt së keqes, duke cekur madje dhe të mbinatyrshmen.

Ai ishte liberal dhe ateist, por më vonë u konvertua në katolicizmin roman. Ai dha një ndihmë të madhe në promovimin e shkrimtarëve, që më vonë u bënë me famë botërore, si Stendhal, Flaubert dhe Baudelaire. I njohur si një nga dandy-t më të famshëm të Parisit, ishte mik me Baudelaire-n dhe “Beau” Brummel, ikonë e sqimës mashkullore në Anglinë dhe Francën e asaj kohe.

 

Fragmente nga libri

1) Për kohën që po flas, isha fare i ri, një nëntoger njomëzak, i kopsitur në uniformë, por shumë i ngathët e shumë i druajtur me gratë, ndonëse ato nuk kanë dashur kurrsesi ta besojnë, me siguri për shkak të kësaj fytyrës sime të mallkuar... nuk kam përfituar kurrë prej tyre për shkak të drojës që kisha.

2) Gjithçka që ndjeva ishte një ndjesi e pabesueshme për atë dorë guximtare që po kërkonte timen nën mbulesë! Ishte sa e padëgjuar aq dhe e papritur! Gjaku i përvëluar nga ajo prekje, më shpërtheu nga koka te dora sikur ta drejtonte ajo dhe pastaj m’u rikthye te zemra! Para syve, gjithçka m’u shndërrua në ngjyrë mavi... veshët më shungullonin.

Duhej të isha zverdhur i tëri. Më dukej sikur do të më binte të fikët... se do të shkrihesha në atë ëndje të papërshkrueshme të asaj dore...

3) Burrat janë të gjithë njësoj. Atyre nuk u pëlqejnë gjërat e çuditshme të kryera nga burrat, madje kjo i bezdis. Por kur kjo gjë e çuditshme është e veshur me fustan, ata mrekullohen.

4) Ai kishte dhuntinë e ironisë. Por, nuk ishte e vetmja dhunti që i kishte falur Zoti i plotfuqishëm. Karakteri ishte forca mbizotëruese tek ai, sarkazma zinte vendin e dytë, gjithashtu një forcë që e përdorte ndaj të tjerëve. Nuk vihej në dyshim se, sikur Kalorësi dë Mesnilgrand të kishte qenë njeri me fat e i lumtur, nuk do të kishte qenë aq përqeshës; por si i pafat që ishte ai bluante mendimet prej njeriu të dëshpëruar dhe, kur ndihej i gëzuar, gjë fort e rrallë, ishte vetëm ngazëllim prej të dëshpëruari; vetëm mendimi i ngulitur i fatkeqësisë e thyen përnjëherësh kaleidoskopin e ironisë, ashtu si e pengon të rrotullohet duke u shndritur.

5) Bukuria është një e vetme. Vetëm shëmtia është e shumëfishtë, po edhe ky shumëfishim lodhet shpejt. Zoti paracaktoi vetëm shumëllojshmëri shprehjesh, sepse shprehja është pasqyrim i shpirtit përmes tipareve të fytyrës, të rregullta apo të çrregullta, të kthjellëta apo të turbulluara.

6) Ateizmi i tyre nuk ishte ateizmi i shekullit të tetëmbëdhjetë, ndonëse në të e kishte origjinën. Ateizmi i shekullit të tetëmbëdhjetë hulumtonte të vërtetën dhe mendimin. Ishte racional, i sofistikuar, me retorikë dhe, mbi të gjitha i drejtpërdrejtë e fyes. Por, natyra e tij fyese nuk ishte asgjë në krahasim me atë të këtyre veteranëve të Perandorisë, të këtyre femohuesve e mbretër-vrasësve të 1793-shit. Ne, që kemi ardhur pas tyre, kemi gjithashtu ateizmin tonë, absolut, të përqendruar, të ditur, të ngurtë, urryes të paepur; që urren gjithçka të lidhur me fenë, siç urren krimbi drurin që po bren.

7) Dashuria me të cilën më mbështillte, nuk kishte asnjë lidhje me shpirtin apo me mendjen, as me vetëkënaqësinë; por ajo lumturi nuk ishte aspak diçka e lehtë, diçka kalimthi. Kurrë nuk më kishte shkuar në mendje se sensualiteti mund të ishte aq i thellë. Përpiquni të përfytyroni një kokërr pjeshke të bukur, me tulin e kuqërremë ku ngulni dhëmbët ose... me mirë mos u lodhni fare. Nuk ka metaforë apo imazh për të shprehur kënaqësinë që ajo pjeshkë njerëzore dhuronte, që skuqej zjarr edhe nga një vështrim shkarazi yti, si ta kishe kafshuar.

8) [...] dashuria jonë më e madhe nuk është as e para e as ajo e fundit, siç besohet së shumti: por e dyta. Mirëpo, kur është fjala për dashurinë, gjithçka mund të jetë e vërtetë e gjithçka mund të jetë e rreme...