Një mësues i plagosur nga të shtënat në shkollën në Uvalde, Teksas, ku mbetën të vrarë 19 nxënës dhe dy mësuese, ka kritikuar policinë duke i quajtur "frikacakë" pasi vonuan ndërmarrjen e veprimeve ndërsa nxënësit e tij u vranë.
Në një intervistë rrëqethëse për ABC News, ai rrëfeu se u tha nxënësve të tij të shtireshin sikur ishin në gjumë gjatë të shtënave.
Personi i armatosur kreu krimin në klasën e tij dhe një klasë ngjitur duke qëndruar atje për më shumë se një orë, ndërsa policia qëndronte jashtë.
"Ju kishit një jelek antiplumb, unë nuk kisha asgjë", tha ai për policinë.
Reyes, një mësues i klasës së katërt, i cili ka dhënë mësim për 17 vjet, tha se nxënësit ishin duke parë një film kur shpërthyen të shtënat. Ai u tha atyre të fshiheshin nën tavolina dhe të shtireshin sikur ishin në gjumë. Por personi i armatosur hyri përmes një klase ngjitur dhe filloi të qëllonte. Reyes u qëllua, më pas zbatoi këshillën që u kishte dhënë studentëve të tij dhe bëri sikur flinte. Ndërsa ishte shtrirë pranë tavolinës së tij, ai dëgjoi policinë që kishte hyrë me shpejtësi në shkollë vetëm disa minuta pas sulmuesit. Por u desh më shumë se një orë para se policia të hynte në klasë dhe të vriste sulmuesin.
"Unë u luta që të mos dëgjoja asnjë nga studentët e mi të fliste," tha ai për programin Good Morning America, duke shtuar se ai besonte se do të vdiste. "Një nga nxënësit nga klasa tjetër po bërtiste, 'Oficer ne jemi këtu. Ne jemi këtu.' Por ata tashmë ishin larguar. Pastaj ai [vrasësi] u ngrit nga prapa tavolinës sime, shkoi atje dhe filloi të qëllonte përsëri."
Pas informacioneve kontradiktore, policia tani thotë se vrasësi ishte mbyllur në klasë për 77 minuta para se policia të thyente derën. Policia e Uvaldes është përballur me kritika të rënda për vonesën.
Reyes tregoi se ndihej i braktisur nga policia, duke thënë:
"Nuk ka asnjë justifikim për veprimet e tyre dhe nuk do t'i fal kurrë."
Gjatë sulmit, fëmijët po telefononin furishëm 911-ën për të raportuar viktima të shumta me armë zjarri. Edhe prindërit e shqetësuar u përpoqën të futeshin me shpejtësi, por policia i pengoi fizikisht të hynin.
Hetuesit thonë se mesazhet nga fëmijët nuk po u transmetoheshin oficerëve në vendngjarje, të cilët prisnin që të arrinin më shumë armë përpara se të përballeshin me vrasësin e armatosur. Zyrtarët thonë se "policia ishte gabim" kur mendoi se situata kishte ndryshuar dhe se ata kishin më shumë kohë për t’u përgatitur për përgjigjen e tyre.
LEXONI EDHE:
• Adoleshenti hap zjarr në një shkollë fillore duke vrarë 19 fëmijë dhe dy të rritur
• 11-vjeçarja e mbijetuar e të shtënave të Teksasit tregon detajet nga ngjarja tragjike
• Bashkëshorti i një prej mësueseve të vrara në Teksas ndërron jetë dy ditë pas saj
• Teoritë tronditëse të konspiracionit pas sulmit me armë në Teksas