Mes rrënojave të shkollës së saj të shkatërruar nga lufta, një adoleshente është fotografuar me fustanin e kuq, që kishte vendosur ta vishte në mbrëmjen e maturës, e cila, për të keq, nuk u bë dot kurrë.

Anna Episheva, nga Toronto, Kanada, postoi foton e mbesës së saj 16-vjeçare, e cila studionte në shkollën 134 në Kharkiv, përpara se vendi të pushtohej nga Rusia.

Adoleshentja, Valerie, e priste me padurim ditën që do të mbaronin shkollën dhe po përgatitej me miqtë e saj për festën.

Në llogarinë e saj, në Facebook, Episheva shkruan për mbesën:

"... Unë jam 16 vjeç... Kam studiuar në shkollën 134 në Kharkiv... ishim shumë miq nga shkolla, ishim si një familje e madhe...  Me vajzat zgjidhnim fustanet dhe ishim shumë të emocionuara që të gjithë do të ishin shumë të bukur në ditën e maturës. Por tek ne erdhi 'Rysskiy World' dhe na prishi të gjitha planet që aq shumë i ëndërronim!"

Dhe më tej, zonja Episheva shkruan: "Mbesa ime duhej të mbaronte shkollën e mesme këtë vit. Ajo dhe miqtë e saj planifikuan festën e diplomimit, blenë fustane dhe mezi prisnin ditën e madhe. Më pas erdhën rusët. Shkolla e saj u godit dhe u shkatërrua më 27 shkurt 2022.

Sot ajo u kthye në atë që kishte mbetur nga shkolla dhe planet e saj për diplomimin. Faleminderit, Valeria ime e dashur, që je e fortë dhe e guximshme, jam shumë krenare për ty!"