Shoferët që kanë humbur të gjitha pikët nga leja e drejtimit për shkelje të ndryshme duhet ta bëjnë kursin e patentës nga e para dhe të japin sërish provimet në teori dhe praktikë.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit dhe Transportit Rrugor ka marrë në testim këtë të enjte kontigjentin e parë të shoferëve problematikë.
Rezultati i testimit, sipas DPSHTRR, ka qenë vërtet shqetësues. Nga 6 drejtues mjetesh që janë ritestuar, në teori kanë ngelur të gjithë. Kjo i ridërgon ata nga e para në autoshkollë për t’u ripërgatitur dhe për t’u riparaqitur për testim brenda një afati 30-ditor.
Drejtoria e Transportit Rrugor thotë se humbësit e të gjitha pikëve të lejes së drejtimit, të cilët i nënshtrohen ritestimit, përfshijnë rastet më të rënda të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor si: përdorimi i alkoolit ose i lëndëve narkotike gjatë drejtimit të mjetit, kalimi i semaforit me të kuqe, thyerje e normave të shpejtësisë, parakalime të gabuara e të rrezikshme që kërcënojnë jetën e përdoruesve të rrugës etj.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të respektojnë normat e qarkullimit rrugor, sepse nëse do të humbin të gjitha pikët, do të rikthehen në autoshkollë dhe do ta rifitojnë patentën vetëm nëse nuk kanë mbi 3 gabime në pyetësorin me 30 fjali, si edhe nëse kalohet testi i praktikës.