Gjatë një interviste për emisonin “Rudina”, fotografi Fadil Berisha tregoi pak nga historia e tij familjare dhe si në vitin 1953 përfundoi në SHBA, si pasojë e një situate të vështirë.

“Prindërit e mi kanë ikur në ’53-shin. Unë jam nga Tropoja. Të gjithë e mendojnë që jam kosovar, në të vërtetë jam nga të dyja dhe i shoh si një, por unë kam lindur në Kosovë. Babit në atë kohë kohë i dhanë një detyrë, të vriste një kosovar. Ai s’mundi ta bënte atë gjë dhe i thotë, ‘Të lutem mos trego se kush të shpëtoi sepse mua më vrasin’. Ai e tregoi dhe babin e fton qeveria të shkojë në Tiranë, ‘të të japim gradat’, por ai e dinte se nuk do ta bënin. I thonë kushërinjtë, ‘Ikim në Tiranë se do kënaqemi’. Ata shkojnë, ai nuk shkon. Ata i rrahin, i fusin në burg”, -tregon fotografi, duke shtuar i ati shpëtoi veten dhe shkoi në Serbi ku bëri 8 muaj burg.

Ata i ofrojnë një biletë që të shkonte në një vend tjetër kudo në botë ose të qëndronte aty, pa asnjë lehtësi nga shteti. Ashtu si shumë emigrantë të tjerë të asaj kohe, ai zgjodhi të shkonte në SHBA.

“Mos të kishte ndodhur kjo, do isha në Tropojë me delet akoma. Kush e kishte menduar një malok kështu, fotograf i modës? Si unë, si Emine Çunmulaj”, -rrëfen Berisha me humor.

Më pas ai rrëfeu se i hyri rrugës së artit, edhe pse familjen e pati kundër (lexo këtu).

Megjithatë, ia doli të bëhej një fotograf i suksesshëm dhe kujton një nga momentet e para që i hapi dyert. Ai tregon se u prezantua me Halle Berry-n sepse punonte me grimieren e saj dhe aktorja shprehu dëshirën të fotografohej prej tij.

“Pas disa javësh vjen Halle në Nju-Jork dhe kishte një fushatë për Revlon, më thanë “do të të lërë 4 orë, bëj ç’të duash”. U gëzova, thashë të përgatitem, të shoh punën e saj, çfarë këndi e kanë fotografuar të tjerët, ta nxjerr në një kënd tjetër. Këto gjëra janë të shkruara. Asaj flokët e shkurtra i shkojnë shumë, më shumë se të gjatat, ka një fytyrë të vogël, të imët, por qafën e gjatë… dhe unë thashë do ta shkrep nga një kënd tjetër, nga poshtë, t’ia nxjerr qafën më të gjatë dhe fytyrën aq të bukur… Sikur ta ndieja që do fitonte një Oscar,” -u shpreh ai.

Pas disa javësh, agjenti i aktores telefonon Berishën dhe i kërkon që të dërgojë të gjitha fotot pasi Berry dëshironte t’i shihte dhe t’i përzgjidhte. Ajo pëlqeu 16 prej tyre, por ai i kërkoi që mos t’i shfaqte ende pasi nuk ishte momenti. Në momentin kur aktores iu dha çmimi Oscar, ajo ishte në xhirime për filmin e radhës dhe nuk kishte ende asnjë foto të saj, ndaj të gjitha revistat iu drejtuan fotografit shqiptar. Nga aty, pjesa tjetër ishte histori.