Meadow Walker zbuloi se ajo pati një abort në vitin 2020. Vajza 23-vjeçare e yllit të ndjerë të "Fast and the Furious", Paul Walker, e bëri rrëfimin përmes Instagramit të premten pas vendimit të Gjykatës së Lartë të SHBA-ave.

“Edhe unë luftova me zgjedhjen, por në vitin 2020, kur bota po shembej gjatë pandemisë, kërkova një abort,” shpjegoi ajo. “Sot shënohet një pengesë e madhe në histori - një padrejtësi e thellë ndaj grave në të gjitha Shtetet e Bashkuara. Ka shumë gra që kanë luftuar për të marrë vendimin për të kryer një abort."

Meadow, e cila u martua me aktorin Louis Thornton-Allan në vitin 2021, vuri në dukje se përvoja e saj ishte "shumë private dhe personale ... ashtu siç duhet të jetë".

“Kam pasur fatin që kam një mjek të shkëlqyeshëm që më ka mbështetur gjatë procesit të vështirë – me ndihmën e tij, unë jam në gjendje të jem personi i lumtur dhe i shëndetshëm që jam sot”, tha modelja. “Tani, të dish që edhe më shumë gra nuk do të kenë mundësinë të kërkojnë një ndërprerje të sigurt të shtatzënisë dhe të zgjedhin mbi të gjitha trupin e tyre është absolutisht zemërthyese.”

Meadow shtoi se vendimi i diskutueshëm i Gjykatës së Lartë ndihej si një sulm ndaj grave.

“Ndalimi i abortit nuk parandalon abortet, ai parandalon abortet e sigurta”, ka përfunduar ajo.

Brenda pak minutash, shumë fansa e komplimentuan Meadow në komente për faktin që foli dhe ndau historinë e saj.

Aborti ka qenë i ligjshëm në Shtetet e Bashkuara për gati 50 vjet me premisën se është e drejta e mbrojtur e një personi të zgjedhë se çfarë të bëjë me trupin e tij.

Shtetet tani e kanë ndaluar procedurën që kur vendimi u shpall tri ditë më parë.

Mes këtij vendimi, një numër i madh personazhesh të tjerë të famshëm kanë reaguar ndaj lajmit.