Shoferi i kamionit ku 53 emigrantë vdiqën nga nxehtësia në Teksas ka thënë se nuk e dinte që kondicioneri nuk po punonte, thuhet në dokumentet e gjykatës.

Ky është incidenti më vdekjeprurës i trafikimit të qenieve njerëzore në historinë e SHBA. Disa fëmijë të gjetur në automjet janë ende duke u trajtuar në spital. Viktimat ishin nga Meksika, Hondurasi, El Salvadori dhe Guatemala.

Homero Zamorano, 45 vjeç, u gjet i fshehur pranë kamionit të hënën, thonë zyrtarët. Ai është një nga katër personat e akuzuar. Zamorano u gjet i fshehur në shkurre. Zyrtarët meksikanë thonë se ai fillimisht u përpoq të hiqej si një nga të mbijetuarit.

Ai u arrestua kur fotot e mbikëqyrjes treguan se po ngiste kamionin duke kaluar një pikë kontrolli të Patrullës Kufitare të SHBA në Laredo, Teksas.

Sipas dokumenteve të gjykatës federale, një informator konfidencial i qeverisë që punonte për Emigracionin dhe Doganat dhe policinë e Teksasit u tha zyrtarëve se Zamorano dhe Christian Martínez, një tjetër person i dyshuar si i përgjegjës, kishin folur bashkë pasi u raportuan vdekjet.

Martínez dyshohet se tha:

"Shoferi nuk ishte në dijeni se ajri i kondicionuar ndaloi së punuari dhe ishte arsyeja pse individët vdiqën".

Të dy të dyshuarit përballen me dënimin me vdekje nëse shpallen fajtorë për akuza për kontrabandë dhe konspiracion. Dy burra të tjerë të akuzuar si të përfshirë, Juan Claudio D'Luna-Méndez dhe Francisco D'Luna-Bilbao, janë akuzuar për posedim të armëve të zjarrit dhe për qëndrim të paligjshëm në SHBA. Të dy janë shtetas meksikanë.

LEXONI EDHE:

Të paktën 46 emigrantë gjenden të vdekur brenda një kamioni në Teksas