Një rritje e rasteve pozitive me Covid-19 është shënuar në vendin tonë ditët e fundit. Në një mbledhje të mbajtur ditën e sotme, Komiteti Teknik i Ekspertëve e kanë konsideruar emergjente kryerjen e dozës së tretë të vaksinës.
“Komiteti fuqishëm bën apel për kryerjen e dozave të vaksinimit, duke vazhduar me dozën e tretë ata që kanë bërë të dytën, duke vazhduar me dozën e katërt ata që kanë bërë të tretën. Sepse të gjithë qytetarët i kanë sot të disponueshme vaksinat në të gjitha qendrat shëndetësore”, tha Mira Rakacolli.
Komiteti i ekspertëve rekomandoi gjithashtu mbajtjen e maskës në ambiente të mbyllura ku është e pamundur të ruhet distancimi social.
Sa u përket pacientëve me Covid të shtruar në spital, Najada Çomo tha se shumica janë persona të pavaksinuar, janë persona me vaksina të papërfunduara dhe kryesisht ata që kanë bërë vaksinimin e hershëm. Për këtë arsye, doza e tretë e vaksinës është cilësuar si e domosdoshme.