Nga dita e sotme deri më 3 gusht, çdo maturant mund të aplikojë online në U-Albania për të zgjedhur listën e degëve që dëshiron të studiojë. Rezutatet e provimeve, mesatarja, por edhe statistikat e viteve të kaluara i ndihmojnë maturantët që të orientohen më mirë në degët që duan dhe degët që mund të arrijnë.

Në një postim në rrjetet sociale, ministrja e arsimit Evis Kushi u ka drejtuar disa fjalë maturantëve, duke ftuar edhe ata të Kosovës për të ndjekur studimet e larta në universitetet e Shqipërisë.

"Duke filluar nga sot e deri në datën 3 gusht, portali U-Albania do të jetë i hapur për ju që të bëni aplikimet. Ju sugjeroj që të mbështeteni në prirjet dhe pasionet tuaja, por gjithashtu të konsultoheni edhe një herë me mësuesit dhe prindërit, në mënyrë që të bëni zgjedhjen e duhur dhe të rrisni më shumë mundësitë për të fituar programin më të përshtatshëm për ju.

Do t’ju ftoja që të keni në vëmendje maksimale edhe programet e studimit që ne i kemi cilësuar si prioritet kombëtar. Siç e dini, këto programe lidhen me disa fusha të shkencave humane, mësuesisë, shkencave natyrore, inxhinierisë, bujqësisë dhe shërbimeve. Studentët ekselentë dhe ata që zgjedhin programet prioritare do të përfitojnë përjashtim nga tarifat dhe bursa mujore me vlerë sa paga minimale, sipas parashikimeve të VKM-së Nr. 386 të miratuar në qershor të këtij viti https://bit.ly/3O7srrS.

Gjithashtu, nisur nga marrëveshja e fundit që kemi nënshkruar me Kosovën, dëshiroj të ftoj edhe të rinjtë dhe të rejat nga Kosova që të aplikojnë për të ndjekur studimet e larta në universitetet tona, me të drejta të barabarta njësoj si studentët në Shqipëri", -ka shkruar ministrja Kushi.

Për të aplikuar klikoni në këtë link.