Një ditë, një mendimtar indian i bëri këtë pyetje dishepujve të tij:

“Pse njerëzit bërtasin kur janë të nevrikosur?”.

“Bërtasin sepse humbasin qetësinë”, tha njëri prej tyre.

“Po pse duhet të bërtasin, kur personin tjetër e kanë pranë?”, vazhdoi mendimtari.

“Bërtasin sepse dëshirojnë që personi tjetër t’i dëgjojë”.

Mendimtari vazhdoi të pyeste: “Pse nuk do t’i dëgjonte personi tjetër, nëse do të flisnin me zë të ulët?”.

U dhanë shumë përgjigje, por asnjëra nuk e bindi filozofin. Ndaj, ai vazhdoi: “A e dini se pse bërtasin realisht njerëzit, kur ndihen të nevrikosur? Sepse kur janë në gjendje inati, zemrat e tyre largohen nga njëra-tjetra. Për ta mbuluar një distancë të tillë, duhet të bërtasin që të mund të dëgjohen. Sa më të acaruar të jenë, aq më shumë bërtasin që ta dëgjojnë njëri-tjetrin. Këtë gjë mund ta krahasoni me situatën, kur dy njerëz janë të dashuruar. Ata nuk bërtasin, flasin qetësisht, sepse zemrat e tyre janë mjaft pranë. Distanca mes tyre është e vogël. Ndonjëherë ato janë aq pranë, saqë nuk e kanë aspak të nevojshme të flasin. Kur dashuria është shumë e madhe, nuk është e nevojshme të flasësh, mjafton ta shohësh personin tjetër në sy dhe ke për ta kuptuar shumë mirë”.

Pastaj, mendimtari e mbylli diskutimin duke shtuar: “Kur ju diskutoni, mos lejoni që zemrat tuaja të distancohen. Mos thoni fjalë që mund t’i largojnë ato më tepër, sepse do të vijë një ditë, kur largësia do të jetë aq e madhe, saqë ato nuk do ta gjejnë më rrugën për t’u kthyer bashkë përsëri.” – Gandhi.

Marrë nga bota.al